Punësimi në bashkitë e reja, Shkëmbi: Ja shkurtimet që do bëhen

Siç është parathënë dhe nga ministri i Çështjeve Vendore Bledi Çuçi harta e re territoriale përveç shkurtimit të numrit të bashkive do të shkurtojë edhe qindra pozicione pune.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Zbatimin e Reformës territoriale, Artan Shkëmbi ka shpjeguar në një intervistë  funksionimin e bashkive të reja.

Ai theksoi se pas rikonstituimit të të gjithë këshillave bashkiakë, do të ndryshojë dhe struktura e punësimit.

“Nuk mund të ketë në strukturat e reja as këshilltarë komunash, as sekretarë të këshillave të komunave, sepse këto këshilla nuk ekzistojnë më.

Nuk mund të ketë as nënkryetarë komunash dhe as shoferë të kryetarëve të komunave.

Nuk do të ketë më as policë komune dhe as drejtorë finance e as drejtorë urbanistike, ndërkohë që këto funksione nuk janë më funksione të njësive administrative, por të qendrës së bashkisë.

Pra është e natyrshme që disa persona do të shkurtohen nga administrata për shkak të këtij riorganizimi”,- u shpreh Shkëmbi.

Më tej, Shkëmbi ka theksuar se kodi i Punës për punonjësit me kontratë dhe ligji për nëpunësin civil për punonjësit që gëzojnë statusin, do të respektohen në çdo rast.

SHKARKO APP