Punësimi në qendrat shëndetësore, nis aplikimi për psikologë dhe punonjës social
Rihapen procedurat rekrutuese për psikologët dhe punonjësit socialë që do të punësohen pranë qendrave shëndetësore të kujdesit parësor në vend. Autoritetet e dikasterit të shëndetësisë kanë konfirmuar tashmë afatet dhe hapat që do të duhet të ndjekin të gjithë profesionistët e këtyre dy specialiteteve, për të siguruar një kontratë pune pranë qendrave publike shëndetësore. Edhe për vendet e lira të kësaj faze, aplikimet do të mund të bëhen vetëm nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.
E ndërsa procedurat e konkurrimit kanë nisur ditën e djeshme, autoritetet konfirmojnë se pranimi i kërkesave për punësime të reja në këto profile do të vijojë deri në datën 10 korrik. Ky është edhe afati i fundit që keni në dispozicion për të bërë aplikimin online në portalin e punësiit.
“Aplikimi kryhet në platformën online “Mjek për Shqipërinë”, në ndërfaqen “Psikologë” duke plotësuar formularin përkatës me të gjitha të dhënat e kërkuara, si dhe duke garkuar dokumentet e duhura. Ndërkohë që një kopje e dokumentacionit duhet të dërgohet pranë Drejtorisë Rajonale përkatëse me postë, ose dorazi”, sqarojnë autoritetet e Ministrisë së shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kush duhet të aplikojë?
Referuar kritereve të përcaktuara më herët për këto profile, për të garuar për vendet e lira të punës në këto dy profile, aplikanti duhet që të ketë fituar minimalisht diplomë universitare të nivelit ”Bachelor” në degën Psikologji, si dhe Punonjës social.
Për diplomat të cilat janë marrë jashtë vendit, bëhet e ditur se ato duhet të jenë njohur dhe njehsuar sipas legjislacionit në fuqi nga strukturat përkatëse. Aplikimi zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve të përcaktuara.
“Kandidatët e interesuar duhet të regjistrohen në ndërfaqen “Psikologë” në portalin “Mjek për Shqipërinë” dhe të ngarkojnë në portal dokumentet që i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit deri në datën 10 korrik. Një kopje e dokumenteve duhet të dërgohet pranë DROSHKSH apo Spitaleve Universitare me postë ose dorazi me protokoll po brenda këtij afati”, bëjnë me dije autoritetet.
Vlerësimi dhe përzgjedhja e fituesve
Sipas skemës së përcaktuar më herët, kandidatët që janë ë garë për vendet e lira, do të vlerësohen për diplomën, përvojën në shëndetësi, gjuhën e huaj, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën dhe për intervistën me gojë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht: deri në 30 pikë vlerësimi i dosjes, si dhe deri në 20 pikë vlerësimi i intervistës me gojë. Komisioni i Vlerësimit, brenda tre ditë pune pas përfundimit të afatit të pranimit të aplikimeve, vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe i njofton ata nëpërmjet adresës së email, për pikët që kanë marrë nga vlerësimi i dosjes, si dhe për datën dhe vendin e intervistës.
Intervista me gojë do të fokusohet mbi njohuritë mbi ligjin nr.10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin nr.44/2012 “Për shëndetin mendor”, Vendim nr.405, datë 20.5.2020 “Për miratimin e strategjisë së zhvillimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri 2020-2025”, Kodin e Etikës në administratën publike, si dhe pyetje lidhur me sjelljen dhe situata hipotetike.
Në përfundim, Komisioni i Vlerësimit, harton listën me pikët totale për çdo kandidat dhe i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre të emailit. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit për rezultatin brenda dy ditëve nga dita e njoftimit të tyre.
Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe e dërgon atë pranë strukturës përgjegjëse e cila bën publikimin në portalin “Mjekë për Shqipërinë” në ndërfaqen “Psikologë”. Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas njësisë vendore të kujdesit shëndetësor është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në Qendrat Shëndetësore të Njësisë përkatëse.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
Kandidatët e interesuar, regjistrohen në ndërfaqen “Psikologë” në portalin “Mjek për Shqipërinë” dhe ngarkojnë në portal dokumentet e përcaktuara si në vijim.
Jetëshkrimin e kandidatit (CV), (i detyrueshëm).
Fotokopje e kartës së identitetit, (e detyrueshme).
Diplomën universitare dhe listën e notave.
Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (e detyrueshme).
Librezën e punës.
Diplomën e nivelit master.
Lejen e ushtrimit të profesionit, (e detyrueshme).
Dëshmi të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor),
Dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja,
Certifikatat e pjesëmarrjes në aktivitetet e edukimit në vazhdim të ndjekura brenda dhe jashtë vendit.
Një kopje e dokumenteve duhet të dërgohet pranë DROSHKSH apo Spitaleve Universitare me postë ose dorazi me protokoll.