Pushime Shqipëri/ Kur troftën ta shesin për koran

LETRA NË REDAKSI

Sivjet kalova pushimet në Durrës e Pogradec. Vërejta dy botë të ndryshme. Durrësi, i papastër, i zhurmshëm. Tregtia bëhet me qeska, arka, kafshë pune, e mjete ndërtimi. Një pjesë e konsiderueshme bukën e marrin me vete dhe drekojnë në rërë! Në këto raste fitimet nga turizmi janë minimale. Lypësit dhe “orkestrat” s’të largohen po s’i dhe diçka. Për të pushuar do të paguash 300-500 lekë ndryshe s’ke vend. Pjesa më e madhe është privatizuar, pjesa tjetër është “pushtuar” nga persona të veçantë e s’të lënë të shtrihesh. Pra s’ka plazh publik. Ka mungesa të kabinave të zhveshjes, dusheve, banjove, rojeve te plazhit. Çmimet mjaft të larta. Ndriçimi i bregdetit ai i 25 vjetëve më parë. Çadrat pushtojnë detin me qëllim fitimi maksimal. Varkat të shumta, por të rrezikshme. Mushkonjat prezente në bregdet natën dhe në godina ditë e natë. Frekuentimi kryesisht nga moshat e reja e të mesme, nga Tirana, Kosova e Maqedonia.

E ndërkohë pushuesit ngrenë zërin, raportojnë, por fjalët e tyre bien në vesh të shurdhët, pasi deri tani nuk konstatohen ndryshime apo përmirësime të kushteve në plazhet tona. Ujërat e bregdetit të Durrësit, mbeten prej disa vitesh në krye të listës së plazheve më të ndotura në vend. Instituti i Shëndetit Publik thotë se për këtë vit nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë zonë, pasi nuk ka pasur financime. Por, sipas raportit të vitit të shkuar, i cili nuk ka ndryshuar për vite me radhë rezulton se plazhet më të ndotura në vend, për shkak të ngarkesave të larta mikrobiologjike në ujë janë ato të Durrësit e Kavajës. Ndotja më e madhe, sipas raportit mjedisor, është kryesisht në Currila, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe te Plepat, ku rezultatet e analizave janë alarmante. Por panorama nuk është e zymtë vetëm në Durrës e Kavajë.

Një pamje krejt ndryshe në Pogradec. Qytet i bukur në jug- perëndim të liqenit të Ohrit. Ky është një nga liqenet më të mëdha të Gadishullit Ballkanik dhe llogaritet si një nga më të vjetra në botë. Shërbimet, në përgjithësi janë të mira me vërejtje të zakonshme. Tregtia ambulatore e organizuar me orar e në vende të caktuara. Uji 24 orë, po kështu dhe dritat. Varkat më të pakta se në Durrës, por më të sigurta. Në mbrëmje qyteti ishte si në “festë” me një larmi orkestrash, por këto me orar. Xhirua në mbrëmje për t’u pasur zili. Lulishte e lule gjelbërimi kudo. Frekuentuesit kryesisht nga Elbasani, Korça e Tirana. Të gjitha moshat, por dominonte mosha e tretë, për qetësinë me hijeshinë tërheqëse. Por jo kudo ishte kështu! Disa km më tej shtrihej Driloni e Tushemishti. Driloni ai që ka qenë. I bukur tërheqës për shqiptarët e të huajt. Me bukuri natyrore e njerëzore. Tushemishti për të ardhur keq. Algat kishin pushtuar “bregun”. Shezlonge të thyer e të hedhura! Të kuptohemi, e kemi fjalën për datë 14 gusht. S’marr për sipër s’i ka qenë më parë e si është sot. U kthyem natën në errësirë të plotë pa asnjë ndriçim. Drekuam diku e në faturë na shënuan çmimin e koranit për troftën që konsumuam! Të vjen keq, por ky është fenomen vetëm shqiptar. Merr pensionin s’t’i jep qindarkat. Shitësi ta hedh me peshën. Kështu në ç’do institucion, mjekësi, administratë e kudo! Sa keq!

Evdal Nuri

SHKARKO APP