Pushohet çështja ndaj Gjergj Cukalit për vrasjen e ish-policit në Tiranë
Prokuroria e Tiranës ka pushuar sot çështjen penale ndaj Gjergj Cukalit i cili ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.
Cukali u arrestua më datë 31 Maj 2019, si i dyshuar për vrasjen e ish-efektivit. Prokuroria kishte deklaruar se ka gjetur prova shkencore (analiza e ADN) në mjetin ku u krye ekspertiza. Bazuar në këto prova, me herët Gjykata e Tiranës e kishte lenë të dyshuarin në masën arrest me burg për akuzën e vrasjes me paramendim.
Por në shtator të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Tiranë i ka dhënë masën ‘detyrim paraqitje’ Gjergj Cukalit, pasi konsideroi të papërdorshme analizën e ADN.
I vetmi që ngelet në burg për vrasjen e ish-policit Bilali, i cili u qëllua me breshëri plumbash në derë të shtëpisë është Arben Xhetani një ish i dënuar për vjedhje, i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen si edhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Arben Bilali u ekzekutua pranë banesës së tij në zonën e Selitës, pas një zinxhiri të gjatë vrasjesh për hakmarrje.
Kush është Gjergj Cukali
I konsideruar si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”, Cukali është një emër jo pak i njohur për autoritetet policore. Akuzat që rëndojnë mbi të janë të shumta, duke filluar nga pengmarrjet, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.
Ndërsa në Korrik të vitit 2016 ai u arrestua së bashku me 16 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante kokainë në Tiranë. Ky grup drejtohej pikërisht nga Cukali, dhe sipas policisë, fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj.
Historiku
Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 10 vite burg Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004. Pengmarrja ka ndodhur rrugën “Myslym Shyri” dhe bëhej fjalë për një konflikt për 100 mijë Euro. Cukali përfitoi amnisti dhe doli pas disa vitesh.
Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë Gjergji Cukali, pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
12 Korrik 2016, policia finalizoi një aksion ku goditi një rrjet të shpërndarjes së kokainës në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Në pranga në kohë të ndryshme u vunë 16 anëtarë të një grupi kriminal, të cilët sipas policisë drejtoheshin nga Gjergj Cukali. Në operacionin e koduar “Tangent” u arrestuan Gjergji Cukali, Artur Tarja, Muharrem Kallushi, Vjollca Gjoka, Gentian Balliu, Armand Gjoka dhe Krisald Kundraxhi. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata dyshohet se shpërndanin kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e “Porcelanit” dhe në rrugën e “Elbasanit”.
Por si u zhvilluan ngjarjet që prej arrestimit në vitin 2016 deri në lirimin e tij?
Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”, gati një vit pas arrestimit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumentonte se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuan nga astma bronkiale dhe ka kriza të shpeshta. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë vendosi që Gjergji Cukali nuk mund të mjekohej në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.
12 Prill 2018 Cukali bie sërish në pranga, pasi theu arrestin e shtëpisë. Gjykata e Lartë kishte dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Gjergj Cukalin, pasi në vitin 2016 është arrestuar si drejtues i një grupi që shpërndante kokainë në Tiranë. Pavarësisht se është një person i rrezikshëm, i dënuar për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje, Gjykata e ka lënë në arrest shtëpie Cukalin, ndërkohë që vendimi i formës së prerë ende nuk është dhënë. Policia e Tiranës deklaronte në atë kohë se Cukali akuzohet për veprën penale “Largimi i të burgosurve nga vendi i qëndrimit”, që parashikon dënim deri në 4 vite burg.