VOA: Putin nënshkruan traktatet për aneksimin e 15% të territorit të Ukrainës. SHBA-ja kërcënon
Presidenti rus Vladimir Putin dhe krerët e katër rajoneve të Ukrainës nënshkruan sot në Kremlin traktatet që shënojnë fillimin e procesit për aneksimin nga Rusia të disa pjesëve të Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Veprimi përfaqëson një përshkallëzim të fortë të konfliktit në Ukrainë, një luftë që vazhdon tashmë prej shtatë muajsh.
Nënshkrimi ndodh tre ditë pas përfundimit të referendumeve të orkestruara nga Kremlini për bashkimin me Rusinë, të cilat u hodhën poshtë nga Kievi dhe Perëndimi duke u cilësuar si grabitje e hapur territori, nën kërcënimin e armëve, e bazuar në gënjeshtra.
Rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore janë mbështetur nga Moska që kur ato u vetëshpallën si të pavarura në vitin 2014, disa javë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë, një territor i Ukrainës. Rajoni jugor i Khersonit dhe një pjesë e Zaporizhias fqinje u pushtuan nga Rusia menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.
Të dyja dhomat e parlamentit rus të kontrolluara nga Kremlini do të mblidhen javën e ardhshme për miratimin e traktateve, që parashikojnë bashkimin e ketyre rajoneve me Rusisë. Dokumentet do t’i dërgohen për firmë përfundimtare presidentit Putin.
Sot në Ukrainë pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe ai i Mbrojtjes lidhur me këtë zhvillim.
Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të paraqesin sot pasdite për miratim një projekt-rezolutë, e cila dënon ato që janë quajtur “referendume të rreme”. Nëpërmjet rezolutës u bëhet thirrjeve anëtarëve të Këshillit të mos njohin asnjë vendim që ndryshon statusin e Ukrainës si dhe të detyrojnë Rusinë që të tërheqë trupat nga Ukraina.
Gjasat janë që Moska të përdorë veton për të bllokuar rezolutën, një veprim që do të bënte të mundur kalimin e kësaj çështjeje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Një strategji e ngjashme pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, arriti të sigurojë mbështetjen e 100 vendeve kundër agresionit rus.
Më herë gjatë ditës së sotme ndërsa Moska përgatitej për aneksimin e katër territoreve ukrainase, forcat ruse goditën me artileri disa autokolona humanitare pranë qyteteve të Zaporizhias dhe Mikolaivit.
Sipas zyrtarëve si pasojë u vranë rreth 26 persona dhe u plagosën rreth 40 të tjerë. Në aumjetet e goditura udhëtonin njerëz që ishin nisur drejt zonave të pushtuara, për të shpëtuar familjarë të tyre./VOA/
SHBA: Nëse Rusia do të përdorë armët bërhtamore në Ukrainë, do përgjigjemi ashpër!
Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Rusinë se përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë do të sillte pasoja të jashtëzakonshme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Presidenti rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se nëse rrezikohet Rusia, ai është i gatshëm “të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion”, duke iu referuar kështu armëve të shkatërrimit në masë.
Kremlini njoftoi zyrtarisht gjatë një ceremonie të premten aneksimin e katër rajoneve të pushtuara të Ukrainës, pas mbajtjes së referendumeve që Ukraina dhe aleatët i konsideruan të jashtëligjshme dhe për të cilat u zotuan se do të vendosin sanksione të mëtejshme.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do t’i mbrojë territoret e reja “me të gjitha mjetet e disponueshme”, duke i alarmuar kështu zyrtarët në Perëndim.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha këtë javë se nëse Rusia përdor armë bërthamore kundër Ukrainës, pasojat do të ishin të ashpra dhe katastrofike.
“Ua kemi shprehur publikisht dhe privatisht rusëve, se pasojat do të ishin reale, dhe do të ishin të jashtëzakonshme”, tha zoti Price.
Ai u pyet nëse këto pasoja të ashpra do të vlenin edhe nëse Rusia do të përdorte një armë të vogël bërthamore në Ukrainë.
“Përdorimi i armëve bërthamore në këtë konflikt do të shoqërohej nga këto pasoja”, tha zoti Price.
Të enjten, Senatori demokrat Richard Blumenthal dhe Senatori republikan Lindsey Graham paraqitën një projekt-ligj që parashikon ndërprerjen e marrëdhënieve me çdo vend që njeh aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës. Senatori Graham foli edhe për kërcënimet bërthamore të Presidentit rus Putin.
Senatori Richard Blumenthal (majtas) dhe Senatori Lindsey Graham (djathtas) gjatë konferencës së përbashkët për shtyp (29 shtator 2022)
“Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë do të ishte një sulm ndaj vetë NATO-s. Radiacioni nuk do të kufizohej vetëm brenda Ukrainës. Rrezatimi do të prekte pjesë të Evropës që janë nën flamurin e NATO-s. Pra, nëse ajo ditë vjen, dhe shpresoj dhe lutem që të mos vijë, kjo duhet të konsiderohet nga e gjithë NATO-ja, nga Shtetet e Bashkuara, si një sulm i Rusisë ndaj vetë NATO-s”, tha Senatori Graham.
Michael Kimmage, ekspert për marrëdhëniet SHBA-Rusi në Universitetin Katolik, i tha Zërit të Amerikës se është e pamundur të dihet nëse Presidenti rus Putin po e shqyrton vërtet mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.
“Do të ishte një hap tepër i madh për Rusinë dhe që do të ndryshonte imazhin e saj, ndoshta njëherë e përgjithmonë, në skenën ndërkombëtare. Nuk është e qartë nëse do të mundësojë rezultate ndryshe nga pikëpamja ushtarake. Dhe sigurisht që nga ana tjetër mund të nxisë kundërshtarët e Putinit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të përshkallëzojnë reagimin”, thotë zoti Kimmage.
Ekspertët thonë se mobilizimi ushtarak i shpallur nga Presidenti Putin ka trazuar dhe zemëruar shumë rusë në mbarë vendin, të cilët po përjetojnë tashmë efektet e luftës.
Të paktën 200 mijë rusë janë larguar nga vendi që kur u dha urdhëri për mobilizimin ushtarak, duke kaluar kufirin drejt Kazakistanit, Gjeorgjisë, Finlandës dhe Mongolisë.