Putini “i shkëputur nga realiteti”, analistët: Komandantët po e gënjejnë për gjendjen në front
Siç është raportuar gjatë fundjavës, Kremlini reagoi pas takimit të Vladimir Putinit me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke bërë të qartë se Moska vazhdon të mos jetë e gatshme për kompromis lidhur me kërkesat e saj maksimaliste për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ndër kërkesat kryesore të Moskës është që Ukraina të tërhiqet nga i gjithë rajoni i Donetskut, përfshirë edhe territoret që aktualisht nuk kontrollohen nga Rusia.
Sipas raportimeve, Putin u ka vendosur forcave ruse një tjetër afat për marrjen e plotë të Donetskut, duke kërkuar që objektivi të realizohet deri në fund të vitit 2026.
Por, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), kjo kërkesë dhe qëndrimi i ashpër i Putinit në negociata mund të jenë pasojë e një perceptimi të deformuar mbi situatën reale në vijën e frontit.
“Ushtria ruse e keqinformon sistematikisht Putinin për gjendjen në front, pjesërisht për shkak të kulturës së përhapur të gënjeshtrës brenda forcave të armatosura ruse”, thonë analistët.
Sipas tyre, raportimet e pasakta nga komandantët rusë në nivele të ndryshme mund ta kenë bindur Putinin se trupat ruse janë në gjendje të arrijnë objektivat e tij në Donetsk deri në fund të vitit 2026 dhe, për këtë arsye, nuk ka nevojë të bëjë kompromis në negociata.
Analistët shtojnë se “realiteti i krijuar nga Putini në fushëbetejë” nuk përputhet me aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, kapacitetet e dëmtuara të ushtrisë ruse për ofensiva dhe terrenin e vështirë që trupat ruse duhet ende të përshkojnë për të marrë kontrollin e plotë të rajonit.
ISW shpreh skepticizëm edhe për mundësinë që Rusia ta realizojë këtë objektiv pas afatit të vendosur nga Putini.
Sipas vlerësimit të institutit, me ritmin aktual të përparimit, forcave ruse do t’u duheshin deri në vitin 2032 për të pushtuar të gjithë rajonin e Donetskut – nëse arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë.
KOHA JONË SONDAZH

