Putini paralajmëron SHBA-të mbi planet për vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të dielën Shtetet e Bashkuara se nëse Uashingtoni do të vendoste raketa me rreze të gjatë veprimi në Gjermani, atëherë Rusia do të vendoste raketa të ngjashme në distancë nga ku mund të goditet Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara thanë më 10 korrik se do të fillonin vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani nga viti 2026, në kuadër të përgatitjeve të një plani për vendosjen afatgjatë të raketave SM-6, Tomahawk dhe pajisjeve të tjera luftarake.
Në një fjalim në Shën Petersburg, para marinarëve nga Rusia, Kina, Algjeria dhe India për të shënuar ditën e marinës në Rusi, Presidenti Putin paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se me një veprim të tillë rrezikojnë të nxisnin një krizë me raketa njësoj si në periudhën e Luftës së Ftohtë.
“Këto raketa, që në të ardhmen mund të pajisjen me mbushje bërthamore, mund të godasin objektivat në territorin tonë në 10 minuta”, tha zoti Putin.
“Ne do të marrim masa të ndërsjella duke marrë parasysh veprimet e Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj në Evropë dhe rajoneve të tjera të botës”.
Më herët zoti Putin ka paralajmëruar se Rusia do të fillojë prodhimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi dhe do të shqyrtojë se ku do t’i vendosë ato, pasi Shtetet e Bashkuara dërguan raketa të ngjashme në Evropë dhe Azi.
Presidenti Putin, i cili urdhëroi fillimin e sulmit ndaj Ukrainës në 2022, pretendon se lufta është pjesë e një përballjeje historike me Perëndimin, që sipas tij, ka poshtëruar Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke ndërhyrë në atë që ai e cilëson sferë të ndikimit të Moskës. Ukraina dhe Perëndimi janë zotuar ta mundin Rusinë, e cila aktualisht ka nën kontroll 18 për qind të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe pjesë të 4 rajoneve në lindje të Ukrainës.
Rusia thotë se territoret, dikur pjesë e Perandorisë ruse, janë sërish pjesë e Rusisë dhe nuk do të lëshohen më kurrë.

SHKARKO APP