Qarku i Beratit asnjë vrasje në 2021, Gledis Nano vlerëson dhe jep porositë për 2022
Qarku i Beratit rezulton qarku pa asnjë vrasje apo ngjarje të rëndë kriminale me humbje jete përgjatë 2021. Ky rezultat i analizës vjetore u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Pas analizës, Nano kërkoi që Policia e Beratit që të mos humbasi vigjilencën, kryesisht tek krimi ekonomik dhe trafiku i narkotikëve.
”Më vjen mirë që dëgjoj vlerësime pozitive, lidhur me rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Ashtu siç u përmend edhe nga Drejtori i Policisë, fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje, ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie, lidhur me këto vepra të rënda penale, të cilat janë një indikator shumë domethënës në sigurinë publike të të gjithë qytetarëve dhe për këtë vlen të përgëzohet gjithë stafi i drejtorisë tuaj.
Rezultatet në drejtim të ndjekjes, parandalimit apo dhe të dokumentimit të veprave të tjera penale, janë të mira. Bashkëpunimi, siç edhe u përmend, është në nivele më të larta, dhe mua për këtë më vjen mirë.
Ajo që ne duhet të synojmë gjatë vitit 2022, pa harruar rezultatet e mira që kemi patur gjatë vitit 2021, në qarkun e Beratit, është të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat dhe tipologjitë e krimeve që ka qarku problematikë, duke rritur kështu dhe besimin me qytetarët, të cilët janë aleati ynë dhe nuk janë sot në këtë sallë”.
KOHA JONË SONDAZH

