Qato: Klik Ekspo Group, katalizator i nxitjes se investimeve të huaja
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës në Pallatin e Kongreseve. Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj: Shqipërinë ndryshe do ta pikasni tek sipërmarrësit dhe institucionet shqiptare me pjesëmarrje të shkëlqyer.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, më i madhi event i sipërmarrjes në Shqipëri ka hapur siparin e tij pasditen e së mërkurës në Pallatin e Kongreseve, në një ceremoni të veçantë, ku ishin të ftuar përfaqësues të qeverisë shqiptare, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të biznesit, sipërmarrës dhe investitorë të huaj, si dhe të ftuar të tjerë. Këtë vit Klik Ekspo Group vjen në një përvjetor të veçantë, me 25 vite mbi supe, një rrugëtim i gjatë që ka shënjuar një epokë më vete në ekonominë shqiptare, me sjelljen në Shqipëri të qindra sipërmarrësve të huaj, të cilët kanë vendosur të investojnë në vendin tonë në fusha të ndryshme si turizmi, energjetika, bujqësia, blegtoria, industria agrorushqimore dhe teknologjia, por edhe siguria dhe mbrojtja, me një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj në çelje të ceremonisë së Panairit, i uroi mirëseardhjen kompanive pjesëmarrëse dhe gjithë të ftuarve të tjerë ndërsa theksoi se ky është një përvjetor i veçantë, përplotë me ekspozues e miq nga bota mbarë. “E gjitha kjo më bën të mendoj që guximi dhe misioni i atij “grushti” sipërmarrësish të parë që ekspozuan në Piramidën e atëhershme 25 vjet më parë, sot do të quhej i përmbushur. Do të kisha vetëm falenderime në këtë përvjetor, grafikët dhe përqindjet i gjeni të jetësuar në këto holle ekspozimi: Shqipërinë ndryshe do ta pikasni tek sipërmarrësit dhe institucionet shqiptare me pjesëmarrje të shkëlqyer. Ballkanin si asnjëherë më parë në simbioze e sinergji, me kompani simotra e me projekte ndërkufitare, Europa kaq të afërt sa nuk ka dallim këtej e përtej e Adriatikut. Miqtë nga Kina e Japonia misionarë të mendësisë së re globale. Ky është përvjetori juaj aq sa është dhe i Klik-ut,’’ tha Muhametaj ndërsa shtoi se vitin që vjen Klik Ekspo Group me mbështetjen e Qeverisë Italiane do të jetë pjesëmarrës, në një event të rëndësishëm të sigurisë dhe mbrojtjes që do të organizohet në Romë.

Luan Muhametaj
E ftuar në këtë panair ishte edhe ministrja e re e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato e cila e vlerësoi maksimalisht Panairin Klik Ekspo Group duke e cilësuar si katalizator të rëndësishëm të sipërmarrjes në vendin tonë. “Panairi Klik Ekspo vjen si një katalizator i rëndësishëm i komunitetit të sipërmarrjes ne Shqipëri, duke i shërbyer sipërmarrjes vendase për të krijuar partneritete të reja të cilat do të shërbejnë për të zgjeruar aktivitetet përtej tregjeve aktuale. Shumë ekspozues të huaj me synim investimet në Shqipëri, nëpërmjet këtij panairi kanë parë ndër vite me interes të veçantë bashkëveprimin me Institucionet dhe autoritetet shtetërore shqiptare, për t’u informuar mbi politikat në mbështetje të biznesit dhe investimeve të huaja, partneritetit publik- privat, paketat fiskale, përfitimet dhe lehtësimet në sektorët prioritare, procedurat e delokalizimit; e nga ana tjetër sipërmarrësit shqiptare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë kërkimit të partnerëve për ndërkombëtarizimin dhe formulat lehtësuese për prodhuesit vendas”. Sipas Qatos në këto 25 vite, Klik Ekspo, ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe tashmë është kthyer në një eveniment ekonomik të rëndësishëm jo vetëm për rajonin por dhe me gjerë. “Ajo ç’ka i ka munguar biznesit shqiptar për vite me rradhë ka qenë pikërisht orientimi i saktë i sektorëve strategjikë ku biznesi duhet të investojë. E pra Qeveria shqiptare sot i ka evidentuar këto sektorë, duke hartuar strategji dhe paketa të mirëfillta në favor të këtyre investimeve dhe tani është sipërmarrja ajo që po përforcon më shumë mesazhin tonë dhe po na bashkohet në realizimin e këtij vizioni, të cilin vetëm më bashkëpunimin e ndërsjellë, si ky i treguar nga KLIK EKSPO, do mund të kthehet në realitet. Për më shumë, rritja gjithnjë e më graduale e ekonomisë shqiptare ka bërë të mundur që ky vit të numërojë trefishimin e eksporteve dhe celjen e 10 mijë bizneseve të reja, të cilat ndjejnë cdo ditë e më shumë nevojën për futjen e teknologjive të reja dhe inovative për për të konkurruar edhe më fort në tregjet rajonale ku tashmë kanë treguar se mbizotërojnë. Ndaj besoj se shumë sipërmarrës do të gjejnë pikërisht këtu partnerët që i nevojiten, në një moment i favorshëm për të krijuar kontakte”,- tha më tej Qato në fjalën e saj.

Edicioni i 25-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojë të jetë i hapur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë deri më datë 24 Nëntor 2018, ku dhjetëra sipërmarrës të huaj do të marrin pjesë duke ekspozuar produktet e tyre. Në programin e Panairit Ndërkombëtar, disa personalitete të rëndësishme të botës së sipërmarrjes janë ftuar për të relatuar dhe ndarë përvoja e know-how, ndër të cilët do të përmendnim Prof. Paul Hodgkins nga UK, si dhe ekspertë nga Italia, Serbia, ne fushën e Menaxhimit institucional, mjedisit, mbrojtjes dhe sigurisë.
KOHA JONË SONDAZH

