Qato: Policia nuk është përgjegjëse për grabitjet në banka

Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato në studion e lajmeve në “Ora News” tha se, policia nuk është direkt përgjegjëse për grabitjet në banka. Qato tha se këto grabitje kanë ardhur si pasojë e defekteve që kanë shumë institucione të tjera, të cilat janë përgjegjëse drejtpërdrejt për rritjen e sigurisë. Zyrtari i lartë i policisë tha se kompanitë private të sigurimit në rastet kur transportojnë shumë të mëdha prash kanë detyrimin të njoftojnë policinë. Në rastin e vjedhjes në Rinas, Qato tha se policia nuk kishte akses në kontrollin e territorit.

Një problematikë e shpeshtë kriminale këto muajt e fundit janë vjedhjet dhe grabitjet spektakolare. Janë të paktën 4 vjedhje në paratë e bankave, për të cilët autorët kanë ikur pa u identifikuar. Vjedhja në Rinas shënoi një ngjarje të rëndë për veprimtarinë policore. A duhet që dikush në Policinë e Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi?

Policia është e angazhuar për të luftuar çdo aktivitet kriminal. Shifrat janë pozitive. Janë 9% më pak vepra penale të ndodhura në territorin e vendit, kemi një zbulueshmëri më të lartë 3%. Siguria është në parametra më të mira. Ka pasur disa ngjarje të rënda, policia ndjen përgjegjësinë për të parandaluar, por këto kanë ardhur si pasojë e defekteve që kanë shumë institucione të tjera, të cilat janë përgjegjëse drejtpërdrejt për rritjen e sigurisë. Pra siç janë rastet e bankave. Nuk është policia drejtpërdrejt përgjegjëse. Nëse masat do të ishin të plota në institucionet e tjera, këto gjëra mund të ishin evituar. Ne prej kohësh, kemi prezantuar në Parlament ligjin për masat shtesë të sigurisë. Nëse ky ligj do të ishte miratuar shumë nga ato ngjarje nuk do të kishin ndodhur. Në këtë ligj u keqkuptua dhe keqinterpretua nga aktorë të ndryshëm. Nuk është se i hiqet privatësia qytetarëve, por policia ka mundësi që të gjitha këto objekte që kanë risk, policia ka mundësi të ketë ndikim për t’u sugjeruar masa shtesë. Kemi rastin e fundit të një bankë në ish-bllok, e cila ndan kufirin me një subjekt tjetër, tek mur. Nëse do ishte ky ligj, policia nuk do ta kishte certifikuar këtë aktivitet.

Po grabitja në Rinas?

Në Rinas policia nuk kishte akses për të hyrë brenda dhe jo më të kontrollonte. Dhe kur ndodhin ngjarje brenda territorit atëherë i kërkohet policisë për të zbuluar, por policia duhet të ketë akses më parë për të sugjeruar masat. Ne kemi një database të objekteve, subjekteve që kanë risk të rrezikut dhe ne jemi në gjendje që shumë shpejt ti prezantojmë masa që nuk do kenë kosto, por do evitojnë ngjarje të rënda kriminale.

 

Si mund të parandalohen këto veprime?

 Policia ka marrë masat kryesisht në këto territore. Ka një bashkëpunim të plotë edhe me kompanitë private të sigurisë fizike të cilat…bankat ose institucionet financiare lidhin kontrata për të siguruar. Ka bashkëpunime edhe me Bankën e Shtetit. Ka disa elementë që nëse do të ketë rakordim të mirë të të gjitha strukturave këto ngjarje eliminohen.

 

Po me kompanitë private të sigurimit, a ka një raport korrekt?

Me këto kompanitë private ne kemi deleguar kompetenca të sigurisë, këto i ka marrë nëpërmjet ligjit. Policia i certifikon dhe i kontrollon ato. Ne shpesh herë i kontrollojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe ndërhyjmë dhe i konstatojmë nëse ka shkelje dhe në çdo rast kur ndodh ngjarje që kanë përgjegjësi ne analizojmë dhe sugjerojmë masat tona. Pas këtyre ngjarjeve ne kemi krijuar një bashkëpunim më të ngushtë. Shkëmbejmë informacion dhe i kërkojmë informacion që më parë nuk kanë qenë shumë të nevojshme, me idenë që policia të jetë prezente, edhe pse nuk është drejtpërdrejt prezente me sigurinë të jetë prezente me informacion, nëpërmjet shërbimeve në terren. Në përgjithësi kur transportohen vlera monetare të larta këto kompani kanë detyrim të njoftojnë policinë para se të lëvizin në territor me idenë që ne t’ua përcjellim shërbimeve tona në kaset rrugore që këto kalojnë për të marrë masa të trafikut, por edhe për të mbikëqyrur gjatë lëvizjes.

Si është bashkëpunimi i Policisë me SHISH dhe Prokurorinë?

Policia ka bashkëpunim me Prokurorinë, me SHISH, ku ne ndajmë dhe shkëmbejmë informacione, kemi bashkëpunim me ndërkombëtarët. Pra kemi qenë bashkëpunues.

Çështja “IMSI Catcher” e çoi nivelin e bashkëpunimit Polici-Prokurori në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Ju u rikthyet në detyrë me vendim gjykate, por ende jeni person nën hetim nga Prokuroria për atë që u konsiderua si pajisje përgjimi. Çështja që besoj dhe publiku ka interesat të dijë është se në çfarë niveli është bashkëpunimi institucional mes policisë dhe prokurorisë pas kësaj ngjarje?

Policia dhe Prokuroria bashkëpunojnë në bazë të ligjit  dhe besoj se bashkëpunimi është mëse normal. Këto janë dy institucione shumë të rëndësishme dhe nuk besoj se ka ndonjë çarje. Prokuroria është përgjegjëse e hetimit dhe ajo i jep detyrime edhe policisë.

 

Çfarë masa janë marrë për uljen e numrit të aksidenteve?

Ka pasur aksidente, por nuk ka rritje të aksidenteve, ka numër të madh kur e krahasojmë me periudhat e mëparshme, por kjo është një periudhë shumë e ngarkuar. Janë rreth 550 mijë mjete të regjistruara në vendin tonë që përdorin shtetasit shqiptarë, kurse vetëm për periudhën qershor-gusht janë 320 mijë mjete që kanë hyrë nga jashtë territorit. Pra është shtuar numri i mjeteve nga akset rrugore. Po të bëjmë një krahasim nga  e njëjta periudhë e një viti më parë ne kemi 8 aksidente me pak, që i bie rreth 15% më pak. Pra nuk është se ne vëmë re rritje, siç jepet shpesh në media. Unë mendoj se është një perceptim i gabuar, ka numër të madh edhe për shkak të fluksit.

 Jemi në kulmin e sezonit turistik, çfarë masash ka marrë policia dhe po ju rezultojnë efikase?

 Policia ka hartuar një program të veçantë për rritjen e parametrave në zonat e plazhit. Masat kanë rezultuar efikase, kemi aktivizuar forcat e 10 komisariateve, 5 stacioneve të kufirit dhe 10 stacione të tjera të policisë për të rritur sigurinë në vend. Ka pasur një fluks të madh hyrje daljesh të shtetasve të huaj, një fluks pushuesish në plazhet e vendit tonë. Janë 23 vepra penale të regjistruara në zonat turistike, që janë vjedhje të lehta. Janë 3 mln e 100 mije pushues që kanë qenë në plazhet e vendit dhe rreth 870 mijë mjete. Janë 600 mijë pushues më shumë nga viti i kaluar dhe rreth 300 mijë mjete më shumë.

 Marrë me shkurtime nga Ora News

SHKARKO APP