Qëlloi shefin e policisë Bashkiake, 19-vjeçari: Isha i dehur, jam penduar
Ilirjan Hasanaj, 19-vjeçari që qëlloi disa ditë më parë me armë zjarri shefin e Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, është shprehur i penduar për aktin e tij duke shtuar se ka qenë i dehur.
Ilirjan Hasanaj ka pranuar autorësinë e plagosjes së dyfishtë të Mentor Hasanajt, drejtor i policisë bashkiake në Malësinë e Madhe, dhe babait të tij, Xhelal Hasanaj.
Ai u vetëdorezua në policinë e Shkodrës, ndërsa para oficerit të policisë gjyqsore është shprehur i penduar për veprimin e tij. 19-vjeçari tregon se ka qenë nën efektin e alkolit kur ka parë Mentor Hasanajn. Ai rrëfen se ka dëgjuar nga babai se ka një konflikt pronësie me shefin e policisë bashkiake të Malësinë së Madhe. Pikërisht ky post ka bërë që i riu të mendojë se Mentor Hasanaj ka qenë në pozita për të penguar çështjen e pronësisë.
“Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj, por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar në rrugë dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam pasur me vete, sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë dite, më ka qëlluar me vete. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjesht e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur.
Duke qenë drejtor më erdhi në mendje se mund të na pengonte te pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment. Ndërsa kushëriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bërë unë, por thjesht e kam thirrur duke i thënë që të më merrte, sepse kisha nevojë, por pa i treguar arsyen. Ai nuk ka qenë aspak në dijeni të plagosjes. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorezuar në polici. Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frike, por tani e kam kuptuar dhe jam shumë shumë i penduar ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë”, është shprehur ai para uniformave blu.