Qëllojnë me pistoletë teksa udhëtonin me Jeep, 3 në pranga
Policia e Tiranës dha informacion për të shtënat me armë të lajmëruara më herët, duke theksuar se ka arrestuar në flagrancë tre persona. Në pranga përfunduan shtetasit Ermal Kadilli, 36 vjeç, Dritan Masha, 36 vjeç, si dhe Dritan Ago, 35 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, tre shtetasit e mësipërm, duke udhëtuar me një automjet tip Jeep, dyshohet se kanë qëlluar me armë. Në komunikatë sqarohet se në momentin e parë, tre shtetasit në fjalë nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë, në ndalesën e dytë, ata kanë lëshuar në tokë pistoletën tip TT, me të cilën dyshohet se kanë qëlluar në ajër. Policia thotë se dyshohet se i përket shtetasit Ermal Kadili.
“Të tre shtetasit e sipërpërmendur udhëtonin në një automjet tip Jeep, me targa AA 425 ON dhe dyshohet të kenë qëlluar me armë pasi kanë dalë nga një resort (bar -restaurant)në Mullet. Policia ka marrë informacion dhe është vënë në ndjekje te tyre.
Rreth orës 14:40, janë konstatuar në rrugën e “Elbasanit”, nga patrulla e dytë pasi nuk i kanë qëndruar patrullës policore në vendin e njohur si rreth rrotullimi TEG-ut.
Në momentin e ndalimit këta shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe menjëherë kanë hedhur jashtë në tokë sendin e kundraligjshëm, një armë zjarri pistoletë tip TT”, sqaron policia.
Në vendin e ngjarjes, janë sekuestruar edhe tre gëzhoja. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Prangat i janë vënë nga një efektive femër, pjesë e patrullës së forcave Shqiponja.
Ende nuk dihet identiteti i personit dhe shkaqet se përse ai ka ndërmarrë një veprim të tillë.

KOHA JONË SONDAZH

