Qendër sociale në Urën Vajgurore, Manastirliu: Mbështesim 14 bashki me fondin social
Çelet qendra e parë komunitare me shërbime sociale për fëmijët me aftësi ndryshe dhe gratë në nevojë në bashkinë e Urës Vajgurore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e pranishme në hapjen e qendrës së re tha se është koha për ngritjen e shërbimeve sociale në çdo komunitet. “Jam shumë e kënaqur që në Bashkinë e Urës Vajgurore çelim këtë qendër sociale në zemër të komunitetit, për ti dhënë një mundësi më të pamundurve, fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta, grave në vështirësi, të marrin trajtimet për të cilat kanë nevojë”. Ministrja theksoi se qeveria shqiptare po investon për ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve sociale në të gjitha bashkitë e vendit nëpërmjet Fondit Social. ”Janë 14 bashki, nga Dibra, Durrësi, Elbasani, Librazhd, Prrenjas, Lushnje, Roskovec, Gjirokastër, Maliq, Kurbin, Lezhë, Tirana me dy projekte dhe Saranda, që nëpërmjet Fondit Social po ngrenë shërbimet e reja për fëmijët me nevoja të veçanta, për gratë në nevojë, të moshuarit e vetmuar dhe grupet më vulnerabël”.
Sipas ministres, të gjithë së bashku mundemi të krijojmë një mjedis favorizues që në fund të vitit 2021 të synojmë ngritjen e shërbimeve sociale multifunksionale në 26 bashki që nuk kanë shërbime sociale në territor. Ngritja e Qendrës Komunitare në Bashkinë e Urës Vajgurore është një ndërhyrje e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas’, i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Shqipëri, dhe zbatohet nga UNDP-ja në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe Agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Kurba e qarkullimit të virusit të gripit është në rritje, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu siguroi se shërbimi do të jetë 24 orë në tre qendra shëndetësore në Tiranë, pa pasur nevojë që të shkohet në spital për urgjencat pediatrike që mund të trajtohen në qendrat shëndetësore, në kushte të mira dhe me profesionistë pediatër të kualifikuar. ”Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri një apel prindërve të përdorin qendrat shëndetësore për fëmijët e tyre, pa patur nevojë të drejtohen në QSUT. ”Të gjitha shërbimet përkatëse që sot merren në QSUT apo deri dje janë marrë në QSUT do të vijojnë të merren në këto qendra shëndetësore. Mjekët janë të kualifikuar, kemi marrë masa për furnizimin me barna dhe material mjekësore”.