Qendra e re Komunitare në Kurbin, ministrja Koçiu: Mbi 70 shërbime të reja sociale në 61 bashki
Në Kurbin këtë të premte u përurua qendra e re komunitare “Fuqizojmë Komunitetin”. Kjo Qendër ofron shërbime sociale të integruara për grupet në nevojë dhe aktivitete të ndryshme për fëmijët, të rinjtë. Të pranishëm në ceremoni ishin, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Drejtoreshën e USAID në Shqipëri, Mischere Kawas, Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu u shpreh se “me USAID, UNDP dhe me të gjithë partnerët e tjerë, ne kemi arritur të kemi një koalicion fitimtar i cili tashmë ka bërë të mundur së bashku me mbështetjen e MSHMS-së, ofrimin e shërbimeve të integruara në 61 bashkitë e vendit. “Në 61 bashkitë e vendit, ne ofrojmë shërbime sociale direkte për target grupet në nevojë dhe kjo ka ardhur gjithnjë duke u forcuar dhe unë jam besimplotë që do të vijojë të forcohet pasi tashmë vetë pushteti vendor, kryetarët e bashkive janë më të ndërgjegjshëm se kurrë për nevojën që ka për të dedikuar fondet, përpjekje dhe energji për ofrimin e shërbimeve sociale për komunitete e tyre”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u ndal edhe të shërbimet që ofrohen në Qendrën e re “Fuqizojmë Komunitetin” në Kurbin. “Në këtë Qendër ofrojmë shërbime sociale për fëmijët me spektër autik apo me çrregullime emocionale, një projekt që do doja ta shikoja të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ofrohen shërbime multidisiplinare dhe për familjet dhe nënat që kanë nevojë për mbështetje emocionale. Mbështesim edhe fëmijët të cilët kanë nevojë të vijnë dhe të bëjnë detyrat pas mësimit në një qendër si kjo. Dhe sigurisht, këtu bëhet fjalë për komunitete me problematika të caktuara të cilat mbështeten nga këto shërbime të ofruara në këtë qendër”, u shpreh ministrja.
Koçiu nënvizoi se me Fondin Social, MSHMS ka mbështetur mbi 70 shërbime të reja dhe krahas kësaj edhe pagesa të drejtëpërdrejta për fëmijët dhe të rriturit me çrregullime të spektrit autik. Ajo shtoi se MSHMS do të jetë përherë partnere me Bashkitë për t’i mbështetur që të ofrojnë akoma më shumë larmishmëri të shërbimeve për komunitetet e tyre.
Në Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Kurbin rreth 30 fëmijë me çrregullime të spektrit autik kanë marrë shërbime të specializuara në fizioterapi dhe logopedie ndërsa një tjetër grup fëmijësh është bërë pjesë e programit “after school” për të zhvilluar aftësi të reja. Qendra ofron gjithashtu shërbim psiko-social për prindërit, fëmijët, si dhe viktimat e dhunës në familje dhe ndihmë të specializuar për gratë dhe vajzat viktimë të dhunës në familje, me synim rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre të plotë në shoqëri.