Qendra për Zhvillim dhe Mbrojtje e Medias së Re: Mbyllja e medias është rreziku më i madh që i kanoset një shoqërie
Përmes një deklarate, “Qendra për Zhvillim dhe Mbrojtje e Medias së Re” dënoi ashpër vendimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH dhe entit rregullues të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për të gjobitur dy herë dhe urdhëruar mbylljen e televizionit Ora News për shkelje të kufizimeve të imponuara nga qeveria bazuar në të ashtuquajturin Akti Normativ nr. 3 për menaxhimin e situatës së pandemisë.
Deklarata e plotë
“Qendra për Zhvillim dhe Mbrojtje e Medias së Re”, dënon ashpër vendimin e Inspektoriatit Shtetëror ISHSH dhe entit rregullues të Autoritetit të Mediave Audiovizive ( AMA ) për të gjobitur dy herë dhe urdhëruar mbylljen e televizionit Ora News për shkelje të kufizimeve të imponuara nga qeveria bazuar në të ashtuquajturin Akti Normativ nr. 3 për menaxhimin e situatës së pandemisë.
Një kërkesë e tillë është jo vetëm e pajustifikuar, por cenon rënë dhe parimet themelore të Kushtetutës.
Theksojmë se veprimtaria e një media, është së pari një mision i shenjtë në shërbim të informimit të opinionit publik.
Ndaj në këtë kontekst, pavarësisht justifikimit të autoriteteve lidhur me pandeminë COVID-19, në asnjë rast nuk justifikohet goditja e një televizioni i cili ka mbajtur një qëndrim në jo pak raste kritik ndaj mazhorancës aktuale.
Media ka për detyrë që të informojë me saktësi opinionin dhe të jetë zëri i qytetarëve. Nuk mundet kurrsesi një autoritet që të përligjë gjobat dhe mbylljen e veprimtarisë së një televizioni me justifikimin për të shmangur një rrezik.
Përkundrazi, mbyllja e një media është rreziku më i madh që i kanoset një shoqërie, aq më tepër në një vend si i yni kur vetëm 30 vite më parë u nda nga një sistem që ndalonte pluralizmin dhe fjalën e lirë.
Kjo nismë, bashkë me ato të ndërmarra më herët si paketa anti-shpifje, janë një kambanë alarmi për të gjithë ne si shoqëri për tentativat e vazhdueshme për kufizimin e fjalës së lirë.
I bëjmë thirrje edhe Komisionit Europian në vendin tonë dhe gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të reagojnë sa nuk është vonë, që Shqipëria të vijojë në rrugën e mbrojtjes së parimeve dhe vlerave më të shenjta të demokracisë dhe të botës perëndimore.