Qendra sociale “Gonxhe Bojaxhi” strehon 107 banorë, Manastirliu: Sigurojmë të gjitha barnat
Duke vijuar mbështetjen ndaj të prekurëve pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”, në periferi të Tiranës, ku janë të strehuar aktualisht 107 banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Manastirliu vuri në dukje se për banorët e strehuar në këtë qendër, por edhe në të gjitha qendrat e tjera janë vënë në dispozicion ekipe mjekësh specialistë.
Sipas saj, kujdesi shëndetësor do të ofrohet deri në momentin që të bëhet e mundur sistemimi në banesa i të gjithë banorëve. ”Ne kemi ngritur një sistem, i cili monitoron të gjitha paketat e shërbimeve që ofrojmë, që lidhen jo vetëm me vaksinimet periodike, por edhe vaksinat kundër gripit”.
Manastirliu bëri të ditur se janë vaksinuar më shumë se 1300 qytetarë kryesisht ata të kategorisë që konsiderohen si më të riskuarat që janë të moshuarit, fëmijët 2-5 vjeç dhe gratë shtatzëna. Për çdo të sëmurë, siguroi ajo, do të sigurohen barna shtesë, përveç atyre që përfshihen në paketën e rimbursimit.
Doktoresha Najada Çomo, e cila vizitoi banorët në këtë qendër informoi ministren se janë vaksinuar 60 banorë dhe po u ofrohet shërbim i specializuar rreth 30 banorëve të sëmurë kronikë.
Manastirliu theksoi më tej se “në të gjitha qendrat ku janë akomoduar banorët po sigurojmë pikërisht shëndetësimin e zonës, duke kaluar në të gjithë elementët”. Sipas saj, Inspektoriati Shëndetësor është duke punuar për verifikimin e kushteve higjeno-sanitare.
Ministrja u shprehu mirënjohjen mjekëve dhe infermierëve të qendrës shëndetësore nr.10 dhe ekipit të spitalit infektiv në QSUT që po vlerësojnë çdo banor, për të ruajtur shëndetin e tyre.