Qerim Vrioni thërret zëshëm “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut”

Albert Vataj

Këto ditë doli nga shtypi “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut”, përmbledhja publicistike e fotografit dhe studiuesit të fotografisë, publicistit dhe hulumtuesit, Qerim Vrioni. Një libër për të ndërgjegjësuar institucionet dhe mbrojtësit e pasurisë sonë shpirtërore, sot, që nesër të mos jetë vonë dhe një vepër nga më përfaqësueset e ikonografisë shqiptare, të shpëtojë për t’i mbetur vlerë një institucioni kulti dhe testament shoqërisë.

Rreth afreskut të Shpatarakut, Qerim Vrioni më ka folur kohë më parë, kur ai me shumë peripeci dhe mund, kishte arritur të trokasë në kishën, ku kjo mrekulli e Shpatarakut qëndronte ashtu shprehëse në murin që e mbante këtë peshë të artit dhe të kohës.

Ai më folu për këtë madhështi të komunikimit artistik dhe estetik të Kostandin Shpatarakut, me pasion të parrëfyer, nga ajo çfarë ai kishte parë kur e kishte vizituar veprën. Por asokohe ishte edhe i shqetësuar për shkallën e degradimit që koha dhe mosruajtja në kushtet optimale, kishte gërryer dhe dëmtuar, duke e kërcënuar seriozisht muroren e ikonografit dhe piktorit të shumëdëgjuar nga asgjësimi.

Sipas studiuesit Theofan Popa, “ndërtimi dhe pikturimi i kishës është bërë me shpenzimet  e banorëve, esnafëve, mjeshtrave rrobaqepës, kasapëve të qytetit të Llëngës dhe përfunduar më 2 tetor 1754”, sqaron Vrioni në një publikim të tij në Telegraf.

Kjo kryevepër e përmasave 240×130 cm ndodhet në Kishën e “Shën Marenës” së Llëngës (fshat në rrethin e Pogradecit, krahina e Mokrës), brenda Manastirit me të njëjtin emër, deri sa ka mbërritur në libër, ndoshta zëri i tij drejtuar institucioneve ka rënë në vesh të shurdhër. Asokohe ai ishte zemërlënduar për gjendjen në të cilën ndodhej murorja, sot ai është i angazhuar që “britma” e tij të rrëmbejë vëmendje dhe të shpëtojë jo vetëm një pikturë, apo kujtesën që na lidh me një ikonograf të dëgjuar, por edhe të tregojmë ndjeshmërinë që kemi si shoqëri, komunitet dhe institucione që veprat që i përkasin kulturës dhe historisë, të mbeten dhe të mbrohen, që të jenë ato të flasin me art dhe përjetim e jo më fjalën e ciceronëve.

Libri “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut” ndahet në pesë; 1. Çështje shoqërore”, 2. Shënime për libra dhe ekspozita fotografie, 3. Figura të shquara, 4. Nga Fotografija botërore dhe 5. Dy intervista. Fjala dhe kontributi i Qerim Vrionit janë të denja për konsideratë dhe vlerësim, sepse ato trajtojnë çështje të cilat janë sensitive për shoqërinë.

Kjo përmbledhje ka shkrime që janë botuar gjatë 20 viteve të fundit në shtypin shqip, brenda dhe jashtë vendit. Libri do t’i shërbejë vlerësimit me ndërgjegje dhe përgjegjësi ngritjes së problemeve dhe ofertës për zgjidhjen e tyre, por edhe do të fuqizojë apelin e tij për të shpëtuar muralen 270-vjeçare dhe jo vetëm atë, identitetin tonë religjioz dhe artistik që na përfaqëson, atë vepër dhe vlerë që mund të jetë nesër objekt interesimi për studiuesit e huja dhe vendas, të cilët do të mund ta lexojnë dhe ta deshifrojnë fjalën e atij shpirti të madh, e nde pa u shuar nga lagështia dhe indiferenca.

Bleje këtë libër dhe thuaje edhe ti zërin tënd për artin dhe jo vetëm.

Për lexuesit po sjellim një trajtim që Qerim Vrioni i ka bërë afreskut të Shpatarakut në një publikim të 22 tetorit 2022, në “Telegraf”, shkrim i cili është edhe në këtë përmbledhje.

 

Shpëtoni  afreskun e  Kostandin Shpatarakut

Fjala është për pikturën murore të ikonografit dhe piktorit Kostandin Shpataraku. e cila ndodhet në Kishën e “Shën Marenës” së Llëngës (fshat në rrethin e Pogradecit, krahina e Mokrës), brenda Manastirit me të njëjtin emër.  Në botime të ndryshme dhe në shtyp ajo titullohet me të paktën tri emërtime: ”Përmbytja e madhe”, “Apokalipsi” dhe “Gjyqi i fundit”. Fshati Llëngë ndodhet mbi rrjedhën e sipërme të lumit Shkumbin, në kufi me krahinën e Shpatit (Elbasan) dhe të Vërçës (Gramsh). Manastiri sot është pjesë e njësisë administrative Trebinjë. Ky Manastir është miratuar si “Monument Kulture” (Arkitekturë) nga Instituti i Shkencave të Shqipërisë me vendim Nr. 95, datë 16.10.1948, veçse kurkund nuk dallohet cilësimi i mësipërmë shtuar me “Mbrohet nga Shteti” në ndonjë pllakë betoni.

Manastiri i Shën Marenës së Llëngës, ndodhet në veri-perëndim të fshatit nga ka marrë emrin dhe shtrihet në një zabel me gjelbërim të dëndur ashtu si e gjithë zona përreth. Ai është quajtur “Manastiri i Shën Marenës” për nder të shenjtores çudibërëse Marena, vajzë e re e cila, sipas legjendës, ka ardhur aty  nga Azia e Vogël. Besohet se Shën Marena  i përkiste besimtarëve eremitë. Manastiri i Shën Marenës përbëhet nga kisha, konakët, najazma dhe shpella e Shën Marenës.

Kisha është një ndërtesë e vogël, e bardhë dhe njënefshe dhe me një kambanore me dy kambana. Sipas studiuesit Theofan Popa, “ndërtimi dhe pikturimi i kishës është bërë me shpenzimet  e banorëve, esnafëve, mjeshtrave rrobaqepës, kasapëve të qytetit të Llëngës dhe përfunduar më 2 tetor 1754” (Theofan Popa-“Mbishkrime të Kishave në Shqipëri”, Tiranë, 1998, f.63).   Konakët, një ndërtesë dykatshe, ku jetonin murgjit dhe qëndronin bujtësit  gjatë pelegrinazheve të përvitshme, gjendet  në pikë të halli, pa dritare, dyer etj. Konakët, para viteve ’90, kanë shërbyer edhe si repart ushtarak dhe zyra të ndërmarrjes pyjore rajonale, prandaj çatia është e mbuluar me fleta llamarine të kuqe dhe të bardha, shumë larg ndërtimit zanafillor tradicional me pllaka guri. Najazma është burimi vogël natyror, ku thuhej se lahej Shën Marena, gjithashtu pa kujdesin e duhur, po ashtu edhe shpella e Shën Marenës rreth 180 metra e gjatë.

GEDSC DIGITAL CAMERA

   Kostandin Shpataraku

Siç e cilëson mbiemri, ishte nga krahina e Shpatit (rrethi i Elbasanit), e njohur edhe për qëndresën ndaj asimilimit fetar islam, gjatë pushtimit pesëshekullor. Madje ata “gjatë sundimit osman mbanin dy emra. “i madhi”-i krishterë, dhe “i vogli”-mysliman” (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2009, vëll.3, f.2522). Thuhet se atje, 200-300 vite më parë çdo fshat kishte pesë kisha. Madje, Shpati (ose Ispatia siç quhej herët) rreth shekullit XIV, ka qenë edhe Peshkopatë njëkohësisht me Beratin.

Theofan Popa, studiuesi i njohur i Mesjetës, shkruan për piktorin e afreskut se “Kostandin Shpataraku ishte mjeshtri më i madh ikonograf” (Theofan Popa-Piktorët mesjetarë shqiptarë, Tiranë, 1961, f.72). Pak më poshtë shton se “ai i nënshkruante ikonat ”Dora e hierodiakon Kostandinit prej Shpati” (Theofan Popa-libri i cituar, po ajo faqe). Për përvetësimin e mjeshtërisë së pikturimit nga Shpataraku, studiuesi Popa, shënon :” Mbas mësimeve të para në vendin e tij nga mjeshtrit vendas. Kostandin Shpataraku, mjeshtërinë e tij duhet ta ketë perfeksionue në këto monastire të Athosit” (http://xn--greqi-shn-24a.im/) (Theofan Popa-libër i sipërcituar, f.75). Kjo ishte fare e natyrshme për kohën; në Manastiret e malit Athos, mblidheshin besimtarë nga i gjithë Ballkani.

Hapësira e zonave ku krijoi Shpataraku është e gjerë, ajo zgjerohet deri në Ardenicë (Lushnjë), Berat, Elbasan dhe Pogradec.

Studiuesi Moikom Zeqo, shkruan për të se “Shpataraku ka krijuar shumë ikona, ato të vitit 1736 e tregojnë një artist plotësisht të pjekur dhe me përvojë, pra mund të mendojmë se atëherë ishte në moshë 20-30 vjeçare”  (Moikom Zeqo-“Gjeniu më shqiptar i ikonografisë-Kostandin Shpataraku“, gazeta “Koha Jonë“, 26 maj 2006). Pra, i bie, me një llogaritje të thjeshtë, të jetë lindur midis viteve 1705 dhe 1715. Duke vazhduar përllogaritjet, del se afreskun ai e pikturoi në moshën rreth 40-50 vjeçare, pra “burrë në moshë“. Gjithmonë, nëse mendojmë se afresku është pikturuar në vitin e ndërtimit të Kishës së Shën Marenës, që siç është shënuar në mbishkrimi brenda saj, 1754. Për vitin e fundit të jetës së Shpatarakut, të gjitha të dhënat, nga libra dhe shtypi, janë të nje mendjeje, moti pas Krishtit, 1767. Sipas gojëdhënave mësohet se ai, për veprimtarinë e tij, ishte dënuar me vdekje nga pushtuesit dhe i u pre koka.

Për të nderuar kujtimin e piktorit dhe ikonografit Kostandin Shpataraku, gjimnazi i Gjinarit, qendrës së komunës omonime, mban emrin e tij, po ashtu edhe një rrugë në Tiranë. Gjithashtu, njëra nga  dy sallat ceremoniale në Muzeun Historik Kombëtar quhet “Salla Kostandin Shpataraku”.

Piktura murore

Një muaj më parë, në shtator, vizitova bashke me studiuesin Genc Hoti, Manastirin e “Shën Marenës” në Llëngë të Mokrës (Pogradec). Qëllimi i shkuarjes ishte kqyrja dhe fotografimi i afreskut “Apokalipsi”, i cili ndodhet në Kishën e Shën Marenës, brenda manastirit.

Afresku, pra piktura murore, ndodhet sapo futesh në kishë në murin e  majtë, fill pas derës. Ai ka përmasa 240×130 cm. Në të ka vërtetë skena apokaliptike, njerëz që po mbyten, të tjerë, që duan të shpëtojnë me çfardo mjeti, madje edhe duke u tërhequar pas bishtit të një kali, por edhe kafshë në përpjekjet e skajshme për mbijetesë. Të gjitha figurat e njerëzve aty janë nudo, normale për skena apokaliptike, veçse ka dy fragmente ndryshe. Në to paraqiten femra, gjithashtu nudo, duke u larë dhe krehur flokët, çka mendojmë se nuk mund të ndodhi gjatë një fatkeqësie natyrore. Në anën e majtë, djathtas lartë, shihet një varkë e brenda saj një shtëpi e madhe me çati. Sipër saj shkruhet një fjalë, në greqisht, e cila përkthehet “Arka”, që paraqet atë legjendare të Noes. Mbi fjalën “Arka” ndodhet një fjalë tjetër që përkthehet “Kataklizmo”, pra “Apokalips”. Gjithsesi, varka dhe fjalët sipër saj hapin mjaft diskutime, çka nuk janë objekt i këtij shkrimi.

Sipas studiuesit të njohur Ylli Drishti, “…afresku përfaqëson  një nga skenat më të bukura me këtë temë të artit pasbizantin në Shqipëri” (Ylli Drishti-Kostandin Shpataraku, Tiranë, 1992, f.37). Në këtë pikturë murore nuk dallohet asnjë shenjë krishtërimi, si kryqi, Jezusi, Shën Maria ose engjëj, disi e pazakontë për një objekt kulti. Kjo e bën edhe më tërheqëse e mbresëlënëse afreskun e Shpatarakut. Afresku nuk ka të shënuar brenda tij ndonjë emër autori, por studiuesit Drishti dhe Zeqo ia atribuojnë me shumë argumente pikturën murore ikonografit Kostandin Shpataraku. Po ashtu, autorësia e tij shënohet edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ku shkruhet se: “Kostandin Shpataraku ka punuar afreske në Kishën e Manastirit të Shën Marenë në Llëngë të Pgradecit” (Fjalori Enciklopedik….vepër e cituar, f.2522).

Piktura murore sot

Sapo hedh shikimin e shumëpritur mbi pikturën murore, atë ta vret një njollë  e çrregullt me ngjyrë të bardhë vertikale në anën e majtë të shikuesit, që ka fshirë mjaft nga subjekti i saj. Pak më majtas shihen edhe dy njolla të tjera të bardha, më të vogla se e para. Për keqësimin në vazhdim të gjendjes së afreskut të Shpatarakut, flet krahasimi i dy fotove të të njëjtit fragment  të pikturës. E para e vitit 1990  e fotografit të njohur Zamir Marika (Y. Drishti, libër i cituar, f.150) dhe asaj të autorit të këtyre rreshtave, të shtatorit 2022 (fragmenyi ze afërsisht gjysmën e afreskut). Brenda 30 viteve, njolla është zmadhuar dukshëm dhe më vonë mund të mbulojë fare afreskun. E, nëse ndodh kjo, regjistrohet një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme e kulturës shqiptare, krahas mjaft të tjerave të arshivuara kohëve të fundit.  Kam bindjen se, jo më një vend europiano-qendror, por as edhe ballkanik, nuk do ta lejonte këtë gjendje të një vepre arti rreth 270 vjeçare.

Sipas priftit të rradhës (janë tre të tillë që kujdesen për Manastirin me një shpërblim monetar tepër qesharak nga Metropolia e Korçës), restaurimi i fundit i afreskut të Shpatarkut daton vitin 1961, pra rreth 60 vjet më parë.

Nga shtypi mësohet se kontrolli i fundit në Manastirin e Shën Marenës nga Drejtoria Rajonale e Trashgimisë Kulturore të Korçës është kryer në vitin 2019, veçse gjithçka pas tij, është përmbledhur në konstatime dhe pas atyre  nuk ka asnjë veprim përmirësues. Duket se Manastiri ka varësi dyfishe, nga Metropolia e Korçës dhe Ministria e Kulturës, çka nuk favorizon ruajtjen dhe kthimin e tij në një vend tërheqës për turizmin kulturor, aq i vyer për imazhin e vendit dhe fitimprurës për buxhetin e shtetit.

Tek e fundit, një qytetari nuk i intereson fare nëse Manastiri është varësi e Kishës Ortodokse Shqiptare apo e Ministrisë së Kulturës. Ai dëshiron që kjo pikturë murore  të restaurohet dhe të bëhet e shikueshme nga publiku vendas dhe i huaj. Duhet shtuar edhe se, objekt tjetër interesant brenda manastirit janë edhe “konakët’, që mund të kthehet në një hotel të këndshëm për vizitorët.

Në zonat përreth janë ndërtuar disa hidrocentrale të vegjë malorë dhe, për të transportuar makineritë, janë çelur rrugë të reja për lëvizjen e automjeteve. Nuk janë rrugë të asfaltuara, por të qarkullueshme. Kështu mund të ndërtohet fillimisht edhe rruga që të lidhi Manastirin e Shën Marenës me pjesën tjetër të vendit, nëpërmjet asaj Qukës-Pogradec. Mandej ajo mund të asfaltohet duke e ”afruar” kështu Manastirin me të gjitha qytetet e vendit, por edhe me botën jashtë. Atëherë ky objekt kulti, do të kthehej në një vend me vlera të veçanta të trashgimisë sonë kulturore.

SHKARKO APP