Qeveria e trishtilit dhe nxënësit e kandilit…
-Në vend të një letre pa zarf për Kryeministrin-
Nga Kristo Mërtiri/Mos u sëkëlldisni hiç, zotërinj qeveritarë! Mund t’i drejtohesha vetëm ministres së Arsimit, por do të isha disi i njëanshëm e me kandar inatçor përballë imazhit farfuritës e marramendës të korridoreve mesore kryeministrore ku ftuat maturantët e shkëlqyer të shuanin trishtimin e thellë në vigjilje të studimeve universitare. Aq më tepër që kjo “vizitë” po bëhej pas ligjërimit si trishtili të vetë shefit të Qeverisë rilindiste, që dukej sikur po korrte mbi kallinj. Sepse ai ligjëron hollë në oratori, por shpesh edhe këndon bukur, tëpkë si ai zogu i murrmë a jeshil përmes pyllit të pluralizmit shqiptar. Dhe nuk është nga ai sua që shfaros kandrrat e dëmshme, bashkë me vezët dhe larvat e tyre. Ky huq i vjetër u takon iriqit, urithit e lakuriqit të natës! Thonë se kandrrat përdoren e thirren përgjithësisht për mizat e mushkonjat, por unë nuk besoj plotësisht te kjo teori e lashtë. Prandaj, po i lë menjëherë mënjanë hamendjet publicistike dhe po ndalem seriozisht te një dukuri ulëritëse e jo pak tronditëse për popullin e thjeshtë në Shqipërizën tonë “tmerrësisht demokratike”. Nuk është aspak artificë gazetareske a libreske. Është një tablo e hidhur migjeniane, jo tamam nga ato të viteve ‘30, por e shfaqur hapur e pa mëshirë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në zemër të Kryeqytetit, jo më larg se dy ditë më parë. Konkretisht?
Një nënë, një grua e sëmurë me tumor, drithërohej e i lutej me përgjërim të birit gjimnazist që të ktheheshin nga kishin ardhur, sepse po ikte orari i furgonave. Jetojnë me dhjetëra e dhjetëra kilometra larg Tiranës, në këmbët e dy maleve në Jug. Donin të takonin deputetë, ministra, drejtorë të Përgjithshëm e drejtorë. Askush nuk i priti, askush nuk i begenisi! Por ama takuan pa kërkesën e tyre dhe me detyrim…Policinë e Shtetit (?). Se zyrtarët e lartë nuk të qasin në fodullëkun e tyre të dhjamosur pas 3 vjetëve në pushtet. Madje, po këmbëngule shumë për takim, si papritur e papandehur të mbërthejnë ca krahë të fortë femre a mashkulli me uniformë policie, të hipin buzëprishur në furgon të posaçëm dhe sa hap e mbyll sytë të shoqërojnë në komisariat. Pa asnjë shkak e sebep. Se politikanët tanë të heqin qafe me celularë atje brenda, nga zyrat perderënda. Që qetësia e tyre e shtirur të mos cenohet asnjë fije nga hallexhinj të uritur, qofshin nga Saranda, qofshin nga Tropoja… Sepse Tirana politike nuk mund ta ulë kurrsesi pjacën dhe të merret me shtresat në rrezik e në nevojë. Kjo mund të bëhet realitet vetëm kur lypen votat një herë në 4 vjet. Të tjerat janë përralla me mbret dhe pa mbret! Bie fjala, atë skenën “live” nga trotuari jashtë zyrave shtetërore, e dhanë disa kanale televizive në mesditën e së premtes. Por në mbrëmje u pastrua si me magji çdo sekuencë filmike nga ekranet. Transparenca humbi si kripa në ujë. Me porosi nga lartë apo nga poshtë, ende nuk dihet. Veçse lajmi në disa medie online e të shkruara, ka ngelur si kallëp i pandryshueshëm: I njëjti tekst, fjalë për fjalë e pa autor! Nga cila dorë e në cilën zyrë u përgatit vallë?…
Djaloshi gjimnazist na ishte me Status Jetimi të firmosur e vulosur nga Shërbimi Social Shtetëror. Ndoshta për herë të parë në jetë po provonte hidhur shurdhërinë, egërsinë dhe verbërinë vrasëse të një Qeverie të majtë. Të një Qeverie që Kryeministrin e saj duhet ta përgjosh 365 net të vitit dhe pa të kesh fat ta takosh nëse bëhesh mik me ca taksixhinj në kërthizë të Kryeqytetit, që mund të flasësh sy më sy e gju më gju poshtë neoneve pasi ka ikur mesnata. Vetëm kështu mund të bësh pakëz mbroth. Përndryshe ngelesh supengritur përtej Urës së Dragotit dhe pa siguruar as dritën tymuese e mbytëse të kandilit që deri dje prehej në muze thjesht si relike e së kaluarës… Sepse ky mjet i thjeshtë ndriçimi para Çlirimit të Atdheut, po rikthehet plot nostalgji 72 vjet më vonë te mjaft fukarenj fshati e qyteti! Por edhe ky i uruar nuk ndizet me barkun bosh: Duhet mbushur me vajguri ose me vaj jo dosido. Nuk thonë kot: barku firë s’kërcen mirë. Por kërkohen edhe fitila të posaçëm si majë litari në grykë. Dhe i bëjnë ballë vetëm mushkëritë e forta që mbahen gjallë me një ndihmë (kupto: lëmoshë) të ashtuquajtur sociale, qoftë për gruan me tumor e qoftë për gjimnazistin jetim! Mos u ngatërroni, nuk bëhet fjalë për kandil deti që lëshon atë lëngun djegës të njohur. Dhe as për shandanë (kandilerë) metalikë si mbajtëse qirinjsh për ndriçim. Në fund të fundit, mbase nuk do të kishte fare rëndësi për fukaranë e këtij Tranzicioni të pafund shqiptar, nëse do të ishin prej ari, argjendi a tunxhi. Sepse luksin dhe intimitetin e tyre meditues e ëndërrues përmes gogësimave pasushqimore nëpër lokalet me një vargan yje në Tiranë, e gëzojnë kryesisht pasanikët politikanë të pashpirt në zijafete e gostira disa milionëshe. Ndërsa asaj familjeje që mban shpirtin gjallë me thërrime sociale gjer në 50 dollarë në muaj (nënë e bir), tani i pret dhunshëm edhe dritën elektrike! Heshtin gojëlidhur deputetët rondokopë të zonës (të majtë e të djathtë), heshtin drejtuesit e Bashkisë, të Qarkut e të Prefekturës. Heshtin OJQ-të me fonde Europiane e Perëndimore. Heshtin ministra Energjie e Drejtësie. Hesht Kryeministri me e pa pantallona të shkurtra në vilën e Surelit e rreth qendrës. Hesht OSHEE-ja qendrore që nuk jep asnjë sqarim telefonik pa shkuar me këmbët e tua në zyrat përkatëse(?!). Te ato zyra që lëshojnë rrufe e fermanë të pakthyeshëm nëpër rrethe, pa pyetur hiç se cilin njeri po lë në errësirë në vitin 2016. Të gjithë këta zyrtarë lapërdharë e të lartë të shtetit tim, me sa duket i shikojnë me dylbi nga Tirana këto shtresa në nevojë e me halle ulëritëse.
-“Një urim e zotim të veçantë për fëmijët në nevojë, me aftësi të kufizuar e jetimë, për fëmijët nga komuniteti rom e egjiptian. Zotohemi se do të bëjmë edhe më shumë për ju krahas gjithë fëmijëve të tjerë”… Seriozisht e keni, zonja ministre e Arsimit? Të lutem, mos ngri kodra rëre buzë detit të mjerimit shqiptar. Së pari, a e dini saktë sa fëmijë jetimë ose jo, e nisën vitin e ri shkollor pa asnjë llambë elektrike të ndezur në strehët ku jetojnë ? Së dyti, sa vocërrakë e të rinj nuk blejnë dot çanta, libra, fletore e lapsa, me bark të tharë nëpër fshatra e qytete në Shqipërizën tonë ? Së treti, sa shkolla shtetërore në zonat e thella, do e shtyjnë këtë dimër pa ngrohje e ndriçim, pa mobilim minimal bashkëkohor ? Apo kënaqesh vetëm me vajtje-ardhjet ceremoniale pas Velisë në Tiranë dhe harroni me e pa dashje periferinë. Sa për djaloshin gjimnazist e me Status Jetimi atje midis Trebeshinës e Dhëmbelit, që nuk takoi dot as ju e as kolegët tuaj në Qeveri të kyçur në ulluqe e fejsbuqe, nuk e di a gjeti dot ndonjë kandil për të lexuar. Kur e pashë syrrëmbushur e paksa të hutuar nën dritat e sheshit “Skënderbej”, veshët e mi buçitën nga ajo thirrja që kemi ngulitur dhimbshëm së bashku në bankat e shkollës: Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla!… Të kuptohemi, unë jam një nga ata gazetarë që ju kam mbështetur për reformat e fillimlegjislaturës. Por errësirën e pamëshirshme ndaj një jetimi fatkeq me qeverinë e majtë gjallë, nuk mundem ta konceptoj e pranoj kurrë. Dhe as dëshiroj të të uroj: U bëfsh kandillonafte! (Është personi që ndez vetëm kandilat a qirinjtë në kishë). Tani që po mbaroj këtë opinion të trishtuar, mësova se më në fund djaloshi gjimnazist jetim, është kandisur të kthehet i vrerosur, i fyer e i zhgënjyer nga Tirana politike, cinike e arrogante, në provincë…
Por unë kam gati 5 ditë e 5 net që më fanepset një 27 vjeçar “Mësues i Popullit”, një uragan i hajthëm por shumë kurajoz e dinjitoz, në vetminë e tij tragjike e antikonformiste. O, si nuk kam një grusht të fortë e t’i bij mu në zemër malit (Qeverisë) që s’bëzanë!… Është zëri i Milloshit të vegjëlisë, është kollitja tronditëse tepër aktuale e Migjenit tonë të pavdekshëm, e njeriut që “nuk arriti të kishte tjetër jetë veç rinisë së tij” përmes mjerimit kafshatë që s’kapërdihet. Ndërsa pinjollët e politikanëve dhe të qeveritarëve të djeshëm e të sotëm nisën studimet luksoze me “rrogat” prindërore në Paris, Romë,Londër, Vjenë, Kanada e SHBA, fryt i kësaj “shkërdhatokracie” çerek shekullore… Me siguri, atje buzë Vjosës time halleshumë, qeveritarët e trishtilit nuk e dëgjojnë dot mërmërimën migjeniane që pret e përcjell errësirë dhimbjemadhe nga goja e gjimnazistit jetim e pa asnjë “shpatull të ngrohtë” zyrtare, përballë disa pushtetarëve dallkaukë lokalë e qendrorë të pashpirt e ligësimbuluar: “Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita/-Gjel, rren a s’rren ? Cila asht fjala jote ?/ Kur ti këndon thonë se asht afër drita…/ Por unë s’besoj sonte ne fjalët e kësaj bote!”.
KOHA JONË SONDAZH

