Qeveria i kërkon 16.2 milionë dollarë hua Bankës Botërore për testim të gjerë të popullatës

Qeveria shqiptare i ka paraqitur Bankës Botërore një projekt të ri ku kërkon të paktën 16.2 milionë dollarë hua në kuadër të emergjencës së krijuar nga koronavirus. Sipas kalendarit projekti pritet të kalojë në Bord në datë 12 qershor.

Objektivi i zhvillimit të projektit, sipas dokumenteve, do të arrihet përmes aktiviteteve që mbështesin mbajtjen në kontoll të COVID-19 në një afat të shkurtër, paralelisht kjo me disa investime për të forcuar aftësinë e Shqipërisë për parandalimin dhe reagimin e emergjencave të shëndetit publik (përfshirë valët e mëtejshme të pandemisë COVID-19) në afat të mesëm dhe afatgjatë.

“Pozicioni aktual i Shqipërisë sa i takon kurbës së pandemisë tregon se investimet bazuar në shqetësime afatshkurtra dhe afatgjata janë thelbësore, për të mos humbur përfitimet e arritura përmes reagimit të menjëhershëm efektiv të Shqipërisë, ndërsa forcohet sistemi shëndetësor përtej krizës aktuele” thuhet në dokument.

Por për çfarë po kërkohen konkretisht paratë? Dokumenti zyrtar tregon se Shqipëria ka kërkuar ndihmë për të siguruar një testim të gjerë të popullatës (përfshirë testimin serologjik më të ri); forcimin e mbikëqyrjes dhe gjurmimit të kontaktit. Po kështu të fillohet me planfikimin e duhur dhe rregullimin e kërkesave për distancim fizik dhe masave të tjera parandaluese (duke diferencuar me kujdes sipas rajonit, sektorit ekonomik, moshës, apo statusit shëndetësor), zgjerimi i kapaciteteve për trajtimin e rasteve të rënda, nëse numri rritet, paralelisht me mirëmbajtjen e kujdesit thelbësor mjekësor dhe minimizimin e rreziqeve për pacientët dhe personelin shëndetësor.

Po kështu projekti përshkruan si pjesë të tij edhe përmirësimin e komunikimit me publikun si dhe aktorët e tjerë kryesorë.

Në dokument qeveria nuk përmend faktin se koronavirus është ngjarja e dytë më fatkeqe në pak kohë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit duke nënvizuar se të dyja këto situata kanë kërkuar mbështetje nga buxheti për disa kategori të prekura si dhe aktivizimin e paketave ndihmëse dhe fondit të emergjencës respektivisht me nga 65 milionë dollarë dhe 20 milionë dollarë.

Kostoja totale e projektit do të jetë 16.2 milionë dollarë dhe institucioni huamarrës është Ministria e Financave dhe Ekonomisë kurse ajo zbatuese Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Monitor

SHKARKO APP