Qeveria kërkon 120 milionë euro – Të hënën zhvillohet ankandi i obligacioneve dyvjeçare
Qeveria shqiptare do të kërkojë të hënën një hua prej 120 milionë eurosh në tregun e brendshëm financiar. Instrumenti i përdorur për borxhin do të jenë obligacionet me maturim dyvjeçar dhe norma kuponit indikativ për ankandin do të jetë 1.8%.
Më 21 mars, qeveria vendosi përmes një akti normativ ndryshimin e buxhetit 2020, të diktuar nga emergjenca e përhapjes së COVID-19. Akti normativ parashikon rritje të deficitit buxhetor me 73% krahasuar me buxhetin e miratuar në fund të vitit të kaluar. Një pjesë e huamarrjes shtesë për të financuar rritjen e deficitit do të bëhet pikërisht përmes obligacioneve dyvjeçare në euro.
Vendimi për të financuar një pjesë të huamarrjes së brendshme me instrumente në euro synon të shfrytëzojë likuiditetet e lira në valutë të sistemit bankar shqiptar, si edhe normat më të ulëta të interesit që mundëson sot huamarrja në euro.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutë përbënin 52% të totalit në fund të vitit 2019. Huadhënia për sektorin privat po shfaq një tendencë të qartë të zhvendosjes drejt lekut. Pesha e portofolit në lekë u rrit me pesë pikë përqindje gjatë vitit të kaluar. Kjo ka shtuar likuiditetet e lira në euro, çka në kohën e sotme përbën një sfidë më vete për bankat. Interesat për vendosjet e euros janë negative, në terma reale dhe mbajtja e eurove në gjendje likuide sjell kosto për bankat tregtare. Mbi këtë logjikë, qeveria shqiptare ka vendosur të tërheqë një pjesë të likuiditetit të lirë në euro, çka do t’i mundësojë edhe norma më të ulëta interesi. Aktualisht, kuponi i obligacioneve dyvjeçare në lekë është 2.25%, ndërsa kuponi i synuar për instrumentet në euro është rreth nivelit 1.8%.
Huamarrja e qeverisë në euro mund të sjellë gjithashtu një efekt stabilizues në kursin e këmbimit. 120 milionë eurot e marra hua qeveria pritet t’i shpenzojë kryesisht duke i konvertuar në lekë. Kjo do të rrisë ofertën e euros në tregun valutor dhe pritet të ulë presionet mbiçmuese të euros që nisën pas shpërthimit të krizës COVID dhe mbylljes së ekonomisë./ SCAN