Qeveria mbyll për 12 muaj TikTok-un
Qeveria ka vendosur mbylljen përkohësisht të rrjetit social, TikTok. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se brenda 1 jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën TikTok për të gjithë përdoruesit shqiptarë.
“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për TikTok për 12 muaj. Periudhë që do të na lejojë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Jemi në komunikim me TikTok sa i takon filtrave, moshës së aksesit, kontrollin prindëror dhe filtrave të domosdoshëm lidhur me të gjitha aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Me këto filtra do të parandalojmë edhe promovimin e sjelljeve që janë të padëshiruara që vijnë përmes komunikimit në platformën e TikTok”, tha ministrja.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. I kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura që aksesi në TikTok të mos dëmtojë të rinjtë. Ato materialet që qarkullojnë, që ne i kemi marrë, kanë akte deri në vepra penale, që nxisin dhunën. Dhe kur të rishikohet masa, që është propozuar nëse do të ketë plotësime të këtyre kritereve atëherë të jemi krejtësisht të qetë që lundrimi i fëmijëve të jetë i sigurt, pa efektet e dhunës dhe nxitjes së bullizmit online me efekte negative në shëndetin e fëmijëve. Me këtë procedurë do të angazhohet Agjencia Kombëtare për sigurinë kibernetike. Do të duhen disa ditë apo 1 javë për të ndërprerë përkohësisht aksesin në TikTok”, shtoi më tej Manastirliu.
KOHA JONË SONDAZH

