Qeveria merr vendimin: Do të riorganizohen 14 institucione inspektuese, mes tyre dhe AKU
Këtë të mërkurë Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për riorganizimin e institucioneve inspektuese të vendit. Ky vendim ka për qëllim sigurimin e standarteve që inspektorët të kenë njohuritë, aftësitë dhe integritetin e posaçëm për ushtrimin e funksionit të tyre.
Do të jenë 14 institucione të cilat do të riorganizohen. Bëhet fjalë për: Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Instituti i Shëndetit Publik.
Inspektorët, do i nënshtrohen trajnimit për 15 ditët, e më pas do të kryejnë teste. Testet do të jenë në teori dhe praktikë, e më pas do të vlerësohen me pikë nga KREK-u. Pasi kandidatët të kenë kaluar me sukses testimet, do të përfitojnë kartën e inspektorit, që do të lëshohet nga Inspektori i Përgjithshëm. Kjo kartë, do të mbartë emrin, mbiemrin, foton, numrin unik identifikues, datën e lëshimit e të skadencës, fushën e inspektimit ose specializimit, por dhe element të tjerë shtesë që do të parandalojnë falsifikimin e tyre.
Sakaq, inspektorët aktualë në detyrë, të cilët nuk janë testuar për njohuritë e tyre prej më shumë se katër vite, do i nënshtrohet provimit të parë periodik brenda një viti, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. E gjitha kjo vjen, pasi kryeministri Edi Rama, kërkoi pezullimin e punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-s. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë sesa mirë, bën dëm”, tha Rama më 2 korrik 2025, në tryezën “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor. Më 12 korrik 2025, u vendos për ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së. Tre prej këtyre anëtarëve do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Përveçse se do vlerësojnë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së, në fokus do të jenë edhe aplikantët e rinj.
KOHA JONË SONDAZH

