Qeveria miraton 870 milionë lekë kompensim për pronarët e prekur nga ndërtimet e legalizuara në 16 zona
Këshilli i Ministrave miratoi fondin për kompensimin financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara në disa qarqe të vendit, në kuadër të procesit të përfundimit të legalizimeve. Vendimi është marrë në mbështetje të ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe propozohet nga Kryeministri.
Sipas aktit të miratuar, vlera e përgjithshme e kompensimit financiar arrin në 870.762.086,47 lekë dhe mbulon një sipërfaqe totale prej 85.140,35 metrash katrorë tokë të prekur nga ndërtimet e legalizuara. Përfitues janë pronarët e pasurive në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Elbasan, Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Sarandë, Gjirokastër, Kukës, Lushnjë, si dhe zonat e stimuluara dhe njësitë rurale të Tiranës.
Sipas vendimit, kompensimi financiar do të përballohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, në bazë të përcaktimeve ligjore për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Gjithashtu, të ardhurat e përfituara nga shitja e parcelave ndërtimore në proceset e legalizimit do të përdoren për financimin e kompensimit të pronarëve të shpronësuar.
Në vendim përcaktohet gjithashtu se drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të kryejnë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme për të reflektuar vendimmarrjen.
KOHA JONË SONDAZH

