Qeveria pezullon nga detyra rektorin e UT, Mynyr Koni
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një deklaratë për mediat komunikoi pezullimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Ministrja i ka kërkuar Presidentit shkarkimin e tij. “Më vjen keq për zotin Koni, unë jam udhëheqëse dhe dua të sigurohem që reforma po zbatohet. Është e vështirë që të marrësh vendim për të pezulluar dikë që është zgjedhur me vota.Vendimin për të shkarkuar rektorin e merr presidenti dhe ai do ketë në dispozicion çdo informacion. Jam dakord me Presidentin ku në Universitetin e Tiranës, nuk është zbatuar ligji dhe është keqmenaxhuar. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës”, u shpreh Shahini.
Neni 39 i Ligjit për Arsimin e Lartë parashikon edhe rastet sesi procedohet për shkarkimin e një rektori. “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit”.
KOHA JONË SONDAZH

