Qeveria “Rama” ashpërson ndëshkimet, 15 vjet burg për ndërtimet pa leje
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kanë prezantuar gjatë një takimit me drejtuesit e Policisë planin për mbrojtjen e territorit.
Ministri Çuçi ka deklaruar se për territorin tashmë përgjegjëse duhet të jetë Policia, për çdo cm2, veçanërisht për ndërtimet pa leje, krimet mjedisore dhe krimet ndaj pyjeve. Ai madje ka dhënë një mesazh të qartë për dhunuesit e ligjit, duke theksuar se duhet ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm, sado i pasur apo i mbrojtur të jetë.
Për Çuçin kësaj here nuk do të ketë më tolerim, pasi për ndërtimet pa leje dënimi shkon deri në 15 vite burg.
“Policia e Shtetit duhet të vendosë kontrollin mbi territor. Shqiptarët duhet të njohin Policinë si garantin për çdo dhunë e krim, kundër personit ,pasurisë, ashtu dhe për krimet në territor. Nuk dua të zgjatem shumë, ata dhunues nga veriu në jug që do përballen me ligjin si asnjëherë më parë. Shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtim pa leje. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm, sado i pasur apo i mbrojtur të jetë. Fiksojeni mirë, nuk do ketë më tolerim. Sidomos në periudha të tilla, jemi në prag të sezonit turistik. Rritet vigjilenca jonë”,- tha ministri Çuçi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi nga policia që të përdorë standarde të njëjta në ndëshkimin e ndërtimeve pa leje. Rama se tha nuk e kuptonte sesi policia zbulonte një mur të ndërtuar pa leje në një fshat në mal dhe nuk arrite të shihte shkeljet ligjore në bregdet dhe në zonat urbane.