Qeveria shkurton fondet për arsimin, Xhixho: Qeveria zgjedh të sakrifikojë të ardhmen e fëmijëve. LSI ka kërkuar rritjen me 5 miliardë
Qeveria shkurton 131 mln euro fonde për arsimin, rrugët, ujësjellësit dhe bujqësinë, i bën gati për import energjie. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho thotë se si forcë politike ata kanë kërkuar në mënyrë specifike rritjen me 5 miliardë lekë të buxhetit për arsimin.
”Kjo jo vetëm që nuk u bë, por arsimit i hiqen para në emër të krizës energjetike, e cila do të lehtësohej thjesht me anulimin e një koncesioni”.
Po ashtu përmes një postimi në facebook, nënkryetarja e LSI-së thotë se ky akt tregon se qeveria nuk sakrifikon të vetët, por zgjedh të sakrifikojë të ardhmen e fëmijëve.
”Duke nxitur, në rastin më të mirë, largimin e tyre jashtë vendit, siç kanë bërë deri tani më shumë se gjysmë milioni shqiptarë”.
Postimi i plotë
Qeveria ka shkurtuar me 16 miliardë lekë (131 milionë euro) fondet për institucionet dhe programet e shpenzimeve publike. Në mënyrë të veçantë, në sektorin e arsimit:
📌Shkurtimet përfshinë Ministrinë e Arsimit, me mbi 1,6 miliardë lekë (13 mln euro) ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar.
📌Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5%, ose 600 milionë lekë.
📌Fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3% ose 278 milionë lekë.
Arsimi është i vetmi sektor që nuk mund të sakrifikohet, në emër të lehtësimit të çfarëdolloj krize. Shkurtimi i fondeve në arsim është dëmtim me vetëdije i së ardhmes. Nuk mund të sakrifikosh paratë e destinuara për një sektor që edhe në situatë normale ka buxhet të pamjaftueshëm.
Ndërsa hartohej buxheti 2022 që qeveria e gjymtoi përmes një akti të ri normativ, LSI ka kërkuar në mënyrë specifike rritjen me 5 miliardë lekë të buxhetit për arsimin.
Kjo jo vetëm që nuk u bë, por arsimit i hiqen para në emër të krizës energjetike, e cila do të lehtësohej thjesht me anulimin e një koncesioni.
Ky akt normativ tregon qartë se qeveria nuk sakrifikon të vetët, por zgjedh të sakrifikojë të ardhmen e fëmijëve tanë, duke nxitur, në rastin më të mirë, largimin e tyre jashtë vendit, siç kanë bërë deri tani më shumë se gjysmë milioni shqiptarë.