Qeveria Shqiptare në një çast delikat. Ku të rrimë këtë radhë: me Amerikën apo Konferencën Islamike?

Nga Frrok Çupi

(Botuar me 30 Prill 1994 në Koha Jone)

Edhe një herë u shtrua kjo pyetje sot, ose më mirë dje mbasdite. Sepse pikërisht dje, radiot e huaja transmetuan një lajm sipas të cilit Konferenca Islamike, ku Shqipëria është anëtare, ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara që të hiqet embargoja e armëve ndaj shtetit të Bosnjës. Le ta analizojmë shkurtimisht çfarë do të thotë kjo kërkesë: së pari do të thotë që t’i hapet rrugë një vërshimi armësh në Bosnjë, me qëllimin për t’u mbrojtur ose për të sulmuar serbët, ose edhe të tjerë, sepse arma është armë, dhe arma në vetvete nuk ka arsye. Me një fjalë, sipas kësaj kërkese, në qoftë se sot kemi një masakër në Bosnjë, u dashka të krijojmë edhe një masakër tjetër! Kujt i intereson masakra, pavarësisht nga emri dhe synimi që mund të ketë? Askujt, dhe në radhë të parë njeriut – kurrë. Pra në qoftë se do të shkonim sipas kërkesës së Konferencës Islamike për të hapur portat pa doganë të armëve drejt Bosnjës, i hapet rrugë një mungese kontrolli dhe një padrejtësie tjetër mes shtetesh e njerëzish. Veç kësaj kërkesa e Konferencës Islamike për heqjen e embargos së armëve ndaj Bosnjës përmban thekse të anësisë fetare islamike. Fakti që Turqi dhe Pakistani paskan deklaruar se janë gati të dërgojnë në Bosnjë municione dhe armë, (sikurse u tha në lajmin e radios) është shumë shqetësues. Por cili është pozicioni i Qeverisë Shqiptare? Që të prononcohet rreth kësaj kërkese, mendojmë se është e domosdoshme për qeverinë tonë. Sepse ajo është anëtare e Konferencës Islamike, e Organizatës që i bën kërkesën Organizatës së Kombeve të Bashkuara, a do të jetë dakord qeveria jonë me këtë kërkesë? Në qoftë se po, a do të marrë parasysh se çfarë pasojash mund të sjellë kjo? Një pasojë mund të jetë se për një kohë të gjatë mund të na rëndojë në ndërgjegjen tonë kombëtare e njerëzore leja që do t’u japim armëve për të hyrë në Bosnjë dhe që do të vrasin njerëz. Kjo nuk është pak, por është një barrë e madhe dhe mund të jetë edhe një përgjegjësi e rëndë historike. Nganjëherë nga vendimet që duken shumë të thjeshta kanë ardhur përgjegjësi të rënda në histori. A duhet të mendohet mirë qeveria dhe politika jonë? Një pasojë tjetër, që edhe kjo nuk është e vogël, do të jetë fakti se duke përkrahur një privilegj ndaj Bosnjës në kurriz të fqinjëve të tjerë, ne mund të marrim mbi vete “mallkimin”e fqinjëve, për një gjë që as na takon të bëhemi arbitër. Mirëpo sikurse dihet, këto kohë fqinjësia na është tronditur disa herë seriozisht. Të paktën tani nuk na interesojnë lëkundje të tjera. Dhe një pasojë të tretë, që duhet menduar : çfarë qëndrimi do të mbajë USA… Këtë nuk e dimë ende. Se në qoftë se SHBA do të bashkohet me kërkesën e Konferencës Islamike, barra e qeverisë sonë sikur lehtësohet pak, të paktën në planin politik. Por në qoftë se SHBA do të kundërshtojë kërkesën e Konferencës Islamike, atëherë komplikohet puna. Dhe në të vërtetë, në një koment të radios së huaj rreth këtij problemi u dëgjua të thuhet se “edhe sikur diçka e tillë të ndodhë në Kongresin Amerikan, atëherë Presidentit Klinton do t’i duhet të vendosë veton për të mos lejuar heqjen e embargos ndaj Bosnjës për fuqizimin me armë”. Këtu është një pozitë e vështirë, vërtet e vështirë e qeverisë shqiptare. Vallë ajo do të veprojë në kundërshtim me Amerikën dhe OKB, duke qëndruar pro Konferencës Islamike ku është anëtare? Një pozitë vërtet delikate. Atëherë analizojmë pozicionin kundër kërkesës së Konferencës Islamike. Me sa parashikohet, kjo mund të ndodhë. Por përsëri edhe këtë e ka të vështirë qeveria shqiptare, sepse do të detyrohet të vendoset kundër konferencës ku është anëtare. Kjo nuk është edhe aq shumë serioze, mendoj. Njëkohësisht, ky veprim, edhe ndonjë rrezik mund të na e sjellë, aq më tepër që me Qeverinë Turke sapo kaluam një çast të mirë të “Muajit të Mjaltit”. Por nuk duhet të harrojmë se edhe një herë tjetër Qeveria Shqiptare ka dalë kundër dëshirës së Konferencës Islamike duke mbajtur anën e USA. Kjo ka qenë rreth një viti më parë, kur forcat amerikane ndërhynë në Irak kundër bazave të armatosura. Pra bëhen dy herë që ne mund të “rebelojmë”nga forumi ku kemi anëtarësinë. Megjithatë edhe kjo herë mund të kapërcehet. Por, a e kishim menduar mirë se si do të vinte puna që ditën kur u bënë natarë të Konferencës Islamike? Ose, a mos është vonë që ta mendojmë sot?
Frrok Çupi

SHKARKO APP