Qeveria shtyn deri më 30 Qershor afatin e regjistrimit të pronarit përfitues

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave miratoi projekt-aktin normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarit përfitues”.

Me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore të parashikuar në ligjin për regjistrin e pronarit përfitues, si dhe për të realizuar një proces sa më efiçent dhe gjithëpërfshirës, duke konsideruar që afati i përmbushjes së këtij detyrimi deri më 31 Mars nuk ishte i mjaftueshëm, u konsideruan arsyet e nevojshme për zgjatjen e afatit.

Zgjatja e afatit në kuptim të instrumentit ligjor u bë me Akt Normativ për shkak të rrethanave procedurale aktuale, për garantimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore duke konsideruar arsyet të cilat paraqiteshin në pretendimet e grupeve të interesit.

Kjo zgjatje u jep mundësinë biznesit që të plotësojnë këto detyrime brenda afatit të parashikuar në këtë Akt, si dhe u jep mundësi të bëhet pjesë e këtij procesi.

Në këto kushte, me ndryshimet e këtij projektakti normativ, lidhur me Regjistrin e Pronarëve Përfitues afati për përmbushjen e detyrimit ligjor nga subjektet raportuese të zgjatet, deri më 30.06.2021.

Me ndryshimet e këtij projektakti normativ, në përgjigje  dhe të kërkesave  të biznesit, është vlerësuar që në rastin e ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, ky regjistrim të bëhet brenda 90 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik.

Ligji u hartua pas kërkesave të Moneyval (një mekanizëm i Komisionit Europian kundër pastrimit të parave), pasi kompanitë offshore, aksionarët e të cilëve nuk janë të identifikuar, krijonin mundësi për pastrimin e parave.

Ligj rregullon përkufizimin e pronarit përfitues, subjektet e detyruara, të cilat duhet të regjistrojnë pronarët përfitues, krijimin, funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, procedurën dhe mënyrën e regjistrimit e të mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues.

Ky ligj zbatohet për të gjitha personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë si më poshtë (shpk, sha, OJF, zyrat e huaja të përfaqësimit, shoqëritë kolektive dhe çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së)./ Abcnews.al

SHKARKO APP