Qeveria siguron 100 milionë euro borxh/ Kërkesë e lartë në ankandin e obligacioneve, kuponi 1.96%
Qeveria shqiptare mori të hënën 100 milionë euro hua në tregun e brendshëm fiannciar, nëpërmjet emetimit të obligacioneve me maturim dyvjeçar. Sipas të dhënave të ankandit, kuponi ose norma e interesit rezultoi 1.96%, pak më e lartë se kuponi indikativ prej 1.8% që kishte vendosur emetuesi.
Megjithëse kërkesa për të blerë obligacionet, ashtu siç pritej, rezultoi mjaft e lartë, me afro 164 milionë euro, Ministria e Financave vendosi të mos tërheqë të gjithë shumën e shpallur prej 120 milionë eurosh.
Me shumë të ngjarë, kjo zgjedhje është bërë për të mbajtur më të ulët kuponin e obligacioneve, ose e thënë ndryshe për të përfituar një normë mesatare interesi më të ulët. Kuponi ka rezultuar pak më i lartë se pritshmëritë, çka mund të lidhet me shumën e madhe të borxhit të shpallur, por ndoshta edhe me një perceptim në rritje të riskut nga investitorët, për shkak të krizës së lidhur me pandeminë.
Pas rishikimit të buxhetit më datë 21 mars, qeveria vendosi që një pjesë të deficitit shtesë të parashikuar ta financojë përmes obligacioneve në euro. Në aktin normative, qeveria vendosi ta rrisë deficiti vjetor me 29 miliardë lekë.
Vendimi për të marrë një hua të brendshme në euro ka pasur kryesisht qëllim të shfrytëzojë likuiditetin e lirë që disponon tregu financiar dhe kryesisht ai bankar në monedhën europiane. Në këtë mënyrë, qeveria nuk ka ushtruar trysni në rritje të instrumenteve të borxhit në lekë, që janë pak më të larta. Kështu, në ankandin e fundit, kuponi i obligacioneve dyvjeçare në lekë rezultoi 2.25%. Në euro kosto e huamarrjes rezultoi më e lirë, me 1.96% dhe ky është një kthim i leverdisshëm edhe për investitorët, po të kemi parasysh se normat e interesit të euros aktualisht janë pranë zeros.
Nëse huaja prej 100 milionë eurosh e marrë të hënën do të përdoret për shpenzime të brendshme, ashtu siç besohet, kjo do të ketë një efekt të mëtejshëm stabilizues në kursin e këmbimit valutor. Konvertimi i kësaj sasie nga qeveria në tregun valutor do të rrisë ofertën e euros dhe mund ta zbresë kursin e monedhës europiane pranë niveleve ku qëndronte para shpërthimit të krizës së COVID 19. Sipas kusit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 125.44 lekë, në rënie të mëtejshme nga java e kaluar.