Qeveria: S’ka marrëveshje për kombinatin e Poliçanit
Qeveria reagoi në lidhje me artikullin e BIRN për kombinatin ushtarak të Poliçanit, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka lidhur dhe nuk është autoriteti i cili lidh marrëveshje qira-marrje apo qira-dhënie për këtë kombinat.
“Deri në momentin që flasim nuk ka asnjë vendim për të dhënë me qira me vlerë 1 euro kombinatin e Poliçanit ndaj kompanisë Bullgare “All Guns Ltd”. Ndërkohë që është e vërtetë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit ka marrë një kërkesë nga kompania në fjalë, por vendimi për ta dhënë objektin me qira ose jo nuk është marrë”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Sipas faqes “Transparenca.al”, Ministria e Mbrojtjes, në bazë të ligjit dhe strategjisë së Forcave të Armatosura, është shprehur se kombinati i Poliçanit mund të jepet për përdorim ndaj palëve të treta, pasi nuk është më i nevojshëm për ministrinë dhe aktivitetin e saj.
“Por ky qëndrim i Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka lidhje specifike me kërkesën e palës bullgare. Aktualisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, si ministria përgjegjëse për gjallërimin e jetës ekonomike të vendit dhe përdorimin me efikasitet të pronës shtetërore, është duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme për rastin në fjalë përpara se të marrë vendimin përfundimtar”, sqaron qeveria.
KOHA JONË SONDAZH

