Qeveritarët tanë janë fodullë dhe pa mullë !

Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-

Nga Kristo Mërtiri

-Ata bëjnë vetëm moralistin frelëshuar, gjer në pështirosje. Me në krye Kryeministrin. E bëjnë pa asnjë fije pendese a përtese, gati përditë, në zyrat luksoze e në podiume konferencash pa fund, nëpër mikrofona e kamera të ngujuara te portat e larta shtetërore në kryeqytet dhe në ndonjë rreth matanë Tiranës ku bëjnë “ciu” për fole ekranesh e mejhanesh mediatike. E bëjnë për “hatër” të lexuesve, dëgjuesve e shikuesve shelegurë nëpër shtrungat elektorale që kullojnë shtirje e lëpirje militanteske përtej fukarallëkut vrasës. Në mëngjes betohen e përgjërohen për të vërtetën, në mesidtë e në mbrëmje puthen me gënjeshtrën ! Shumica e tyrë vërtet nuk kanë haber se ku bien fshatrat dhe ca qytete e qyteza të Shqipërisë. Dhe nuk dinë hic se “nga lidhet gomari”, por ama shkëlqejnë atje ku shpërdorohet e vidhet djersa dhe paraja e votuesve taksapagues. Përmes kësaj errësire administrative e qeverisëse, ashtu të kullandrisur e të kollarisur vijnë e ikin të krekosur rëndshëm, mospërfillës e përcmues. Dhe nuk bëzajnë për papunësinë masive apo për hashashin me këmborë e zile. Një tablo egërshane që po gërryen vendin dhe po shastis e huton një brez të tërë nga Jugu në Veri, kudo. Ky fodullëk politik e kjo hipokrizi sipërore pushtetore(e djeshme dhe e sotme), te njerëzit e thjeshtë buron ankth e dëshpërim. Na beso, miku ynë, po na bëhet mendja ujem nga të vetmet “sihariqe” rilindiste e optimiste të pagëzuara me emrat europianë “pedonale” a “lungomare”. Prandaj po flasim me veten dhe po mërmërijmë si nëpër dhëmbë një avaz të lashtë :”Mendjefyellin, që mban ndezur/ Ditën llambën me fitil/ Shpejt ju keni për ta parë/ Pa vajguri në kandil”…

Swiss Digital Desktop Reklama

Miqtë e mi të vjetër e vërsnikë dhe pa asnjë teserë partie në xhepa, që jetojnë e punojnë me faqe të bardhë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, nuk i bëjnë kurrë hesapet pa hanxhinë. Dhe as fluturojnë kollaj nëpër mitingje e parkingje politike të ndryshkura. Fodullët dhe mujsharët e pandreqshëm i kanë halë në sy e asnjëherë nuk i honepsin. I presin e përcjellin sipas kokës e festes, e pse jo me thumba, me shufra thane e gunga. Shkurt, sipas vendit dhe kuvendin ! Mirëpo kësaj Qeverie në fundvitin legjislativ, po i mbaron vërtet “vajguri i kandilit”. Në qytete e fshatra po vërshojnë bilancet gojore e kuvendore rreth premtimeve avullore partiake e qeveritare. Fjala vjen, për rikonstruksionin e plotë të rrugës Ura e Lekëlit – Përmet, kaloi mbi një vit nga gjëmimi i daulles elektorale lokale. Dhe nuk i ranë mitingashë të zakonshëm province. I ra me dorë  ishbasketbollisti, vetë Kryeministri ynë ! Tëpkë si në Brataj të Lumit të Vlorës mbi 3 vjetë më parë. Vecse me një ndryshim të vockël : Në ato grykat e mia zonja hijerënda buzë Vjosës nazemadhe, nuk doli asnjë grup i posacëm folklorik me kostume e këngë popullore kushtuar Edi Ramës ! Tregojnë se as fjalimi i tij nuk i ngjau të paharruarit piramidal Rrapush Xhaferi në të dalë të Këlcyrës… Sepse në ato krahina që unë i njoh mirë me rrënjë e degë, fodullëku a euforia marramendëse  pushtetore nuk pijnë ujë dhe një ditë bëhen copë e thërrime. Pa bujë e zhurmë, por me lezet e dinjitet. Ashtu sic bëri biri i kësaj treve në fillim të pluralizmit mu në zemër të Tiranës, i papërsëritshmi Kasëm Trebeshina (në gusht mbushi plot 90 vjec). Antikonformist i paepur përballë cdo dredhie e qelie. I tillë mbeti edhe me bashkëluftëtarët që i falën mizorisht hapsanën e pamerituar. Karakter stërralli edhe në hapat e parë coroditës e shkatërrues të Tranzicionit të zi shqiptar, kur deklaroi prerë e hidhur :”Unë po largohem…Foshnja lindi e vdekur !”…

Swiss Digital Mobile Reklama

Së pari, mjaft lidhje të domosdoshme me njerëzit e thjeshtë kanë humbur pa nam e nishan. A e dini me c’farë janë zëvendësuar shumë nga ato kupolat mbrojtëse të monizmit prej betoni e hekuri ? Shumë larg popullit pozitar e opozitar, sot liderët ngujohen duke gogësitur në kushte komode dhe në pikun e vapës e të dimrit. Ngujohen jo në ish tunelet luftarake të Postenanit a të Melesinit maja-maja dhe as në ato të Dajtit a Korabit. Ngujohen në FEJSBUQE, në këto kupola mbrojtëse “moderne” larg rrëmujës e rrëmetit, fshehurazi syrit “ligavec” të miletit. Po me cilin popull komunikojnë vallë ? Me një grusht gazetarësh kolopucë të pronarëve biznesmenë, me analistët e paguar e lapsadredhë apo me rrogtarët e selive leshraverdhë ? Më thoni, me cilën “shtresë të paprivilegjuar” bisedojnë publikisht kryetarërt e së majtës demokratike shqiptare ? Ose shikoni vetëm rrethin vicioz e skandaloz të emërimeve në poste të larta shtetërore e qeveritare. U bënë vite të tëra që nuk dalin dot nga ky rrethim zezonë me para të pista, rrethim që ushqen dukshëm fodullëkun dhe mban të paprekshëm arrogancën e maskarallëkun përballë elektoratit me gisht në gojë.

Së dyti, miqtë e mi të vjetër e dinjitozë, nuk ia futin si kau pelës kur thonë se qeveritarët tanë rilindas janë edhe pa mullë e shtyllë kurrizore. Mos u merakosni shumë, nuk janë nga ata që deri dje ishin të zhytur në pellgun e mjerimit shqiptar migjenian ose nga ata që u është “qepur mulla pas shpine” apo u është tharë barku nga skamja. Sic më thotë shpesh një mik i nderuar në Memaliaj, në qytetin minator pa minierë, këta lloj kolltukofagësh aguridhë po të ishin nga ajo lloj mullëze që përdoret në qumësht për të zënë djathë, mbase do ishte e keqja më e vogël. Pa punuar e pa derdhur djersë asnjë ditë në këtë Shqipërizën tonë, befas zaptuan mjaft maja shtetërore ku buron abuzimi e shpërdorimi acik i detyrës. Fjala vjen, nëse Nënë Tereza i përulej edhe një fëmije të sëmurë e fukara, këta bandillë rilindistë që nuk i ka vrarë kurrë këpuca i përkulen vetëm Kryetarit postedhurues dhe parasë kallpe. Nuk janë mollëzakë të rrëgjuar, por janë lëpirës të indoktrinuar gjer në palcë e kokëtulë. Mjerë Shqipëria jonë !…

Së treti, nepset dhe epshet e këtye zyrtarëve me spaletadhuruara, në këtë fundlegjislature kam bindjen se do të arrijnë kuota të padëgjuara ndonjëherë. Më konkretisht, le të dalë publikisht qoftë edhe një ministër a zëvendës i tij; sekretar i Përgjithshëm ose Drejtor i Përgjithshëm a Drejtor drejtorie; një kryetar a nënkryetar Bashkie në kryeqytet e gjetkë dhe të na thotë seriozisht se sa hallexhinj ka pritur në zyrë e si i ka përcjellë e zgjidhur problemet. Tjetër. Le të na thonë sa letra me zarf e pa zarf, sa ankesa e kërkesa legjitime kanë marrë udhë gjatë 3 vjetëve në pushtet ?… Unë e kam prekur nga afër zhgënjimin e dëshpërimin drithërues qytetar. Përshembull, kur tallen poshtërsisht edhe me vlonjatët e sertë, të mencur e durimmëdhenj, të pushton një trishtim e pesimizëm tjetër vrasës. Se Vlora jonë edhe fal, por nuk i harron lehtë dallkaukët, kopukët dhe eunukët e skopitur nga Kryetarët dorëlëshuar e ndereharbuar. Dhe jo më kot e vecoj Vlorën : Në krye të deputetëve fodullë e pa mullë (majtas e djathtas) qëndron hijelartë deputeti Kryeministër! Asnjëri nuk guxon minimalisht të japë dorëheqjen përpara halleve të pazgjidhura e sa një mal. Asnjëri nuk pipëtin pas shkrimeve të shumta kritike në media ! Vërtet i kanë “shpatullat të ngrohta” ?…

Së fundi, sic thotë një publicist i shquar, këtyre u ka hipur mendja në qiell, janë hem qerosë, hem fodullë ! Dhe nuk janë thjesht e vetëm “e zeza e të zot” e që e pësojnë vetë, por këta realisht zezojnë jetën e një qyteti a fshatra të tërë. Vetëm me tastierë e fejsbuqe me erë nuk mund të qeverisësh mijëra njerëz që nuk i kanë hic këto hallate europiane. Dhe mos kujtoni se të tillë zyrtarë janë nga ata prototipat e përrallave popullore, të zgjuar e dinakë. Ua them unë, janë kallinj misri pa kokrra shumë ! Miliona e miliarda po shkojnë për lumë. Prandaj ka nisur rrokullima… Sa herë flitet me të madhe në mikrofona e ekrane (“po më gjetët qoftë edhe një ditë bosh pa fytyrën e Velisë, më shponi mua në hundë”,-na ngacmon shpesh një komshiu ynë hokatar) për “pedonale” e “lungomare” në zemër të fukarallëkut, bashkë me miqtë e mi përdorim si kapak muhabeti ato 4 vargjet në fillim të shkrimit. Janë nga gjeniu humanist e “gojëmjalti” Saadiu, njeriu që digjej nga dashuria për njeriun. Po e mbyllim me një rrëfenjë të shkurtër : “Një mbret piu një natë gjer në mëngjes. Si hodhi kupën e fundit, ia mori këngës që tregonte lumturi dhe nuk mendonte më as për vdekjen e nuk kish frikë nga njeri. Mirëpo një dervish i varfër që rrinte shtrirë lakuriq jashtë në të ftohtë, e dëgjoi dhe ia priti me pyetjen :”Themi zi s’paske ti, po dhe ne s’kemi zi ?…”. Mbreti mori një qeskë me flori, doli në penxhere dhe i foli fukarait:-Dervish, hape prehrin !

-E, ku ta gjej prehrin ? Unë s’kam rroba në trup,-iu përgjigj.

Mbretit i erdhi keq më tepër dhe mbi qeskën me florinj shtoi edhe një rrobë. Dervishi i mori rrëmujë këto para dhe i prishi brenda pak kohe. Si i mbaroi të gjitha, erdhi prapë nën strehën e pallatit mbretëror… Por kënga mbeti :”Mendjefyellin, që mban ndezur/ Ditën llambën me fitil/ Shpejt ju keni për ta parë/ Pa vajguri në kandil”…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?