Qindra sirianë dalin nga kampi Al-Hawl. Shumë pikëpyetje për shqiptarët

Më shumë se 500 sirianë, disa prej të cilëve dyshohet se kanë lidhje me militantët e grupit të Shtetit Islamik, u larguan të hënën nga kampi i mbipopulluar Al-Hawl, kanë njoftuar zyrtarë kurdë. Ky kamp që menaxhohet nga kurdët, është në verilindje të vendit, tashmë të shkatërruar nga lufta. Një gazetar i agjencisë franceze AFP, pa dhjetëra gra duke zhvendosur sendet e tyre në kamionë dhe të tjera duke ushqyer fëmijët e tyre para nisjes.

Lajmin për largimin e qindra sirianëve e ka konfirmuar Sheikhmous Ahmad, një zyrtar kurd, që kontrollon këtë kamp. Ai tha se 515 njerëz nga 120 familje, po ktheheshin në zonat në lindje të provincës Deir Ezzor. Largimin e tyre nga kampi Al-Hawl, e kanë konfirmuar edhe organizata që merren me të drejtat e njeriut.

Në këtë kamp dhe kampe të tjera të Sirisë, sipas Institutit për Siguri dhe Integrim nga Prishtina që merret kryesisht me shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria, janë më pak se 100 persona nga Kosova, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë. Pak kohë më parë një operacion për shpëtimin e jetimëve në Siri përfundoi me kthimin e 5 personave, 4 prej të cilëve familja Rasha dhe Endri Dumani. Në kamp vijon të mbetet motra e tij Eva Dumani si dhe 8 fëmijë jetimë të tjerë.

Kodi Penal shqiptar e konsideron krim “pjesëmarrjen në veprime luftarake në një vend të huaj”, pa qenë shtetas i atij vendit, pjesëtar i ushtrive të palëve në konflikt, apo i ndonjë misioni ushtarak zyrtar. Për këtë veprim Kodi Penal parashikon dënim me burg nga 3 deri në 8 vjet.

Në rastet kur kjo vepër kryer me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues apo shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, përcakton Kodi, dënimi i mundshëm shkon nga 5 deri në 10 vite burg. Dënimi është më i ashpër për organizatorët për pjesëmarrje në luftime në shtet të huaj, për të cilët parashikohet burgim nga 8 në 15 vite. Për vepra penale që kanë të bëjnë me rekrutimin e personave për terrorizëm apo financimin e tij dënohet jo më pak se 10 vite.

Edhe pse shpëtoi nga kampi i ferrit, Floresha Rasha është një person kyç për hetimet nga SPAK, e cila ka nisur një procedim penal të hapur më herët nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, për llogari të shqiptarëve që kanë rekrutuar persona për t’i dërguar në krah të ISIS në Siri, kanë financuar këtë luftë apo kanë qenë vetë pjesë e saj.

Për llogari të këtij procedimi, prokurorët e SPAK pritet të kalojnë në filtrat e hetimit të riatdhesuarën madhore të së martës, Floresha Rasha, bashkëshorte e Diamant Rashës, i vrarë në frontin e luftës në Siri, por edhe partnere e mëvonshme e Lavdërim Muhaxherit, po ashtu i vrarë në radhët e ISIS.

SHKARKO APP