Qytetarët boshatisën farmacitë! Ministria: Spitalet pa mungesa
Në disa farmaci në Tiranë, kërkesat kanë qenë aq të shumta për t’u “blinduar” me maska mbrojtëse, saqë tashmë ka mungesë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se depot farmaceutike kanë stok të mjaftueshëm për të përballuar kërkesat për maska. Farmacistë në Tiranë thanë se mungesa në depot farmaceutike ndikon dhe në rritjen e çmimit të maskave. Në këtë situatë, që më shumë sesa nga masat parandaluese, është përfshirë nga paniku, farmacistëve u është dashur të bëjnë edhe psikologun. Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendosja e maskave nuk është e domosdoshme në vende që nuk janë vatër të sëmundjeve infektive, siç është aktualisht Shqipëria. Të vetmit që e kanë nevojshme të mbajnë maskën janë ata që shfaqin simptoma të sëmundjeve respiratore si teshtima, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, apo që janë kujdesur për të sëmurë me këto probleme. Ndryshe nga qytetarët, maskat janë të detyrueshme për bluzat e bardha.