Qytetari që u dhunua nga deputetët e PD: Mziu më goditi me grushte, Noka më ushtroi kontroll
Prokuroria ka nisur hetimet për Flamur Nokën dhe Xhelal Mziun pas protestës së dhunshme dhe një përplasje të ashpër që u përfshinë me një agjent civil dhe një qytetar. Ky i fundit, Totem Toraj, bashkë me agjentin civil Krenar Metaj, bënë kallëzim në polici, kundrejt dy deputetëve. Në dëshminë e tij në polici, qytetari Tetem Toraj, të cilin Flamur Noka e ngatërroi me agjent civil, ka rrëfyer të plotë dinamikën e përplasjes.
Ai ka treguar para bluve, se mbrëmjen e 20 shkurtit, doli nga biznesi i tij, në rrugën “Xhorxh W Bush” në Tiranë, ku është takuar me një bashkëfshatarin e tij, duke iu referuar agjentit civil Metaj. Përplasja ndodhi pranë xhamisë së Namazgjasë, ku Toraj rrëfen se disa deputetë të Kuvendit, mes tyre Flamur Noka, Xhelal Mziu dhe Belind Këlliçi, u janë afruar dhe kanë nisur të shtyjnë dhe të dhunojnë Krenar Metajn. “Unë e kam pyetur se çfarë kishte ai me atë djalin”, ka dëshmuar Toraj, duke shtuar se Nok ai është drejtuar me fjalët “çfarë je ti Polic”. Në këtë moment, Noka e ka kontrolluar qytetarin duke e pyetur “ku e ke armën”.
”Unë jam paraqitur në Komisariat për të kallëzuar se, në rrugën “Xhorxh W. Bush”, në Tiranë, kam biznesin tim “Tabaco” dhe në orën 22:00 të datës 20.02.2026 kam mbyllur dyqanin tim. Sapo kam dalë nga dyqani, duke ecur në këmbë, kam parë që në rrugë kishte disa persona, pasi sapo kishte përfunduar protesta tek Parlamenti i Partisë Demokratike. Kam takuar një bashkëfshatarin tim dhe jam përshëndetur me të. Sapo kemi bërë dy-tre hapa, janë afruar disa persona, disa prej të cilëve i njoh nga televizioni, pasi janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Flamur Noka, Xhelal Mziu, Belind Këlliçi dhe edhe dy të tjerë, të cilët nuk i njoh me emër. Deputetët i janë drejtuar bashkëfshatarit tim duke e shtyrë. Unë jam afruar dhe jam munduar t’i ndaj. Në këtë moment, deputeti Flamur Noka po i fliste dhe po e shtynte bashkëfshatarin tim. Unë e kam pyetur se çfarë kishte ai me atë djalë. Flamuri më është drejtuar me fjalët: “Çfarë je ti, polic?”, dhe ka futur duart në trupin tim duke më kontrolluar dhe duke më thënë: “Ku e ke armën?”,-ka dëshmuar ai.
Në sherr është përfshirë edhe deputeti Xhelal Mziu, i cili sipas dëshmisë së Torajt, është goditur me grusht në pjesën e brinjëve. “U fut edhe deputeti tjetër Xhelal Meziu. Pasi me kontrolluan duke ushtruar presion psikologjik edhe fizik edhe panë që unë nuk kisha armë, ndërkohë unë ju shpjegoj që nuk kam lidhje me Policinë por jam qytetar sapo kam dalë nga puna në këtë kohë. Xhelal Mziu më godet me grusht në pjesën e brinjëve. Ka ardhur Policia e na ka ndarë unë kam vazhduar punën time edhe kam shkuar në shtëpi shumë i shqetësuar për këtë që më ndodhi. Kur kam shkuar në shtëpi shikoj që kisha dalë edhe në televizor edhe shumë nga familjarët e mi po telefononin se ishin të shqetësuar për mua pasi kishin parë televizorin. Unë vendosa që të paraqitesha në Polici për të bërë kallëzim penal pasi kërkoj ndjekje ligjore për këtë që më ndodhi gjithashtu kam edhe dhimbje në brinjë si shkak i goditjeve kërkoj edhe vendim Mjeko Ligjore”, vijon ai në dëshmi.
Marrë nga /Shqiptarja.com/
KOHA JONË SONDAZH

