Radio shtetrore gjermane, DW: Berlini përgatitet për trazira dhe dhunë natën e Vitit të Ri

-Sabine Kinkartz, korrespondente e DW-

Dyshohet se do të ketë sulme ndaj punonjësve të shërbimit të urgjencës dhe se do të ketë trazira. Policia po përgatitet. Ekziston frika nga dhuna.

Festa e Krishtlindjes është familjare dhe e qetë, ndërsa në natën e Vitit të Ri kudo në Gjermani festohet: vetëm në Berlin priten pranë Portës së Brandenburgut deri në 65.000 vetë. Prej ditësh ndërtohen skena për koncertet. Festa do të zhvillohet nën moton “Festoni në Portë”. Muzikantë të shumtë do të performojnë, mjaft stacione  televizive do t’i trasmetojnë koncertet, ndërsa në mesnatë priten fishekzjarre.

Kjo tingëllon si një festë e bukur, por për shkak të frikës prej sulmesh të mundshme terroriste, askush nuk mund të relaksohet. Koncepti i sigurisë është kompleks. Në zonën e festës mund të hysh vetëm nëse ke biletë, dhe në hyrje ka kontrolle. Nuk lejohen as çantat, as fishekzjarret, as ushqimet, pijet apo gjëra të tjera. Agjitacioni politik është i padëshirueshëm në festën e Vitit të Ri. Sidomos në kohët kurIzraeli po bën luftë kundër Hamasit.

Frikë nga incidentet

Policia e Berlinit pret që në natën e Vitit të Ri të ketë një rrezik të shtuar trazirash për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Shefja e policisë së Berlinit, Barbara Slowik, flet për një “nevojë të madhe për mbrojtje për popullin hebre dhe izraelit”. Javët e fundit kanë treguar se sa shpejt mund të ndryshojë gjendja, me demonstratat e shumta pro-palestineze në qytetet kryesore gjermane.

Slowik u shpreh për një “emocionalizim të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme”. Ndërsa sa i përket natës së Vitit të Ri, thotë: “Ne sigurisht supozojmë se këto emocione do të përjetohen edhe në rrugë.” Sidomos në të ashtuquajturat zona problematike me një popullsi të madhe myslimane.

Dhunë kundër forcave të sigurisë

Policia e Berlinit, por edhe zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore janë vënë në alarm. Punonjësit e urgjencës përjetojnë vazhdimisht sulme të dhunshme edhe në ditët normale. Në një studim mbarëkombëtar nga Shoqata Gjermane e Brigadës së Zjarrfikësve (DFV), rreth gjysma e zjarrfikësve të anketuar deklaruan se ishin fyer, sharë dhe kërcënuar ose kishin përjetuar dhunë të drejtpërdrejtë gjatë detyrës në dy vitet e fundit.

Në natën e Vitit të Ri 2022/2023, shërbimet e shpëtimit dhe emergjencave në disa qytete të Gjermanisë u sulmuan masivisht me fishekzjarre dhe raketa. Në Berlin, shefi i policisë Slowik tha se punëtorët e shpëtimit janë futur edhe në prita të dyshuara. Askush nuk pret që gjërat të jenë më pak agresive këtë vit. Ministrja e Brendshme Federale Nancy Faeser (SPD) është e shqetësuar se natën e Vitit të Ri mund të ketë sërish “dhunë të pakuptimtë” në disa qytete.

Edhe policët janë njerëz

Sindikata e policisë bën thirrje për veprime më të ashpra kundër sulmuesve. “Që nga ekseset e dhunshme vitin e kaluar në Berlin, por edhe në shumë vende në zonën e Ruhrit dhe madje edhe në Bonn, të gjithë e dinë se diçka është prishur në shoqërinë tonë,” paralajmëron kryetari i GdP Jochen Kopelke në një intervistë për Rheinische Post. “Më në fund duhet të reagojmë ndaj kësaj.”

Në Berlin po vazhdojnë përpjekjet në disa fusha që gjërat të mos përsëriten. Policia ka muaj që është në lëvizje në të ashtuquajturat zona problematike si masë parandaluese. Ka organizuar takime nëpër shkolla dhe klube të rinjsh për t’u sqaruar të rinjve se do të ketë shumë njerëz me uniforma dhe me helmeta. Prindërit janë kontaktuar përmes shkollave dhe u është kërkuar ndihmë. Njerëzit punojnë natën e Vitit të Ri për të ndihmuar të tjerët. “Ju lutemi flisni me fëmijët tuaj paraprakisht në mënyrë që edhe ne të trajtohemi me respekt dhe tolerancë, në mënyrë që ta nisim Vitin e Ri pa dëme”, thuhet në letër.

Prani masive

Në të njëjtën kohë, policia e Berlinit ka përgatitur operacionin e saj më të madh për Vitin e Ri në disa dekadat e fundit. 2500 policë shtesë nga Berlini dhe landet e tjera do të jenë me shërbim në rrugë. Po ashtu në stacionet e trenit dhe në stacionet e tramvajeve dhe metrove do të jenë në gatishmëri edhe 500 oficerë të policisë federale. 1000 policë të tjerë janë në detyrë në rajonet e policisë dhe me makina patrullimi. Në disa raste brigadat e zjarrfikësve duhet të shoqërohet me mbrojtje policore. Policia me rroba civile po monitoron prej ditësh situatën në pikat e nxehta, ndërsa protestuesit do të arrestohen menjëherë.

Edhe prokuroria planifikon të punojë me trune speciale. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner (CDU), njofton për veprime vendimtare. “Kushdo që sulmon policinë dhe zjarrfikëset duhet të presë një përgjigje shumë të qëndrueshme nga shteti ligjor”. Si masë parandaluese në tri lagje problematike të Berlinit është ndaluar hedhja e fishekzjarrëve nga persona privatë .

180 milionë euro për fishekzjarrë

Ambientalistët dhe sindikata e policisë janë të mendimit se fishekzjarret duhet të ndalohen në tërësi në Berlin. Por këtë vit po shënohen rekorde të reja shitjesh, pas ndalimeve në vitet e virusit Corona 2020 dhe 2021. Vitin e kaluar u shitën prodhime piroteknike në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh. Këtë vit kjo shumë nuk do të jetë më pak.

Përveç fishekzjarreve të ligjshme, që janë në shitje që nga data 28 dhjetori, në qarkullim ka edhe mjaft mjete shpërthyese ilegale, veçanërisht në Berlin. Kufiri me Poloninë është afër dhe aty shiten fishekzjarre të pacertifikuara që kanë një efekt shumë më të madh shpërthyes.

Në vend të pluhurit të zi, përdoret një substancë më e fortë që mund të shpërthejë në mënyrë të pakontrolluar. Disa përmbajnë madje edhe pjesë të vogla të forta të cilat mund të shkaktojnë plagisje serioze, sikurse plumbat e pushkës, përfshirë edhe prerje të gjymtyrëve ose goditje që mund të çojnë deri në vdekje. Në Berlin spitalet po përgatiten për një natë të ngarkuar.

Portret në sfond gri. Një grua në moshë të mesme me flokë ngjyrë gështenjë deri tek supet. Ajo ka veshur një xhaketë kostumi ngjyrë bezhë poshtë të cilës duket një këmishë e bardhë.Portret në sfond gri. Një grua në moshë të mesme me flokë ngjyrë gështenjë deri tek supet. Ajo ka veshur një xhaketë kostumi ngjyrë bezhë poshtë të cilës duket një këmishë e bardhë.

Sabine Kinkartz Korrespondente

SHKARKO APP