Rama asnjë propozim, naftëtaret: Nuk dalim nga greva pa marrë lekët
Gratë naftëtare në Ballsh janë futur sot në ditën e 18-të të grevës së urisë, ndërsa deri më tani qeveria nuk ka propozuar asnjë zgjidhje për marrjen e pagave të prapambetura.
Edhe pse gjendja e tyre është përkeqësuar, gratë naftëtare vijojnë rezistencën duke deklaruar se nuk do të heqin dorë nga greva pa marr më para pagat e tyre.
Ato i janë drejtuar përsëri kryeministrit Edi Rama që të gjejë një zgjidhje për problemin e tyre.
“Është dita e 18 e grevës. Do të vazhdojmë përderisa ne kemi marrë këtë risk përsipër, është e kotë nëse nuk fitojmë gjë. Largimi nga familjarët është shumë e vështirë. Unë jam me diabet jam shkëputur ndonjë ditë pasi jam me diabet dhe kam marrë mjekim. Nuk bëhet fjalë të dalim nga greva. Pa fituar lekët që kemi nxjerrë me djersë” – tha një prej grevisteve.
Kujtojmë se deri më tani në të gjitha reagimet e bëra nga kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë propozim konkret që t’u mundësojë naftëtarëve marrjen e pagave të prapambetura. Në reagimet e tij, Rama iu ka përsëritur kushtin që pa dalë nga greva, s’ka bisedime.
Më herët, kryeministri është shprehur në Kuvend se nuk shkon të bisedojë me naftëtarët, pasi nuk do që të krijoj precedentin që çdo qytetarë i kënaqur nga kompania ku punon të marrë para përmes grevës apo presioneve të tjera.
Greva dhe protestat e naftëtarëve tashmë e kanë kaluar muajin që nga fillimi i rikthimit i grevës së dytë brenda vitit. Rezistenca dhe vazhdimi i ngujimit të tyre do të vazhdojë.