Rama: Çdo i vetpunësuar do të marrë një “pagë lufte”
Pasi komentoi për vendimin e Ministrave të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, kryeministri Edi Rama foli gjërë e gjatë për Covid-19 dhe situatën në Shqipëri. Ai tha se të gjithë ata që punojnë në biznesin e vogël do të marrin një “pagë lufte”, edhe pse jo të gjithë janë të deklaruar në shtet.
“Paga e vetme e deklaruar në shtet nga një biznes i vogël është ajo e kryefamiljarit, që deklarohet në kufijtë e minimales. Rruga më e thjeshtë është që kryefamiljarit t’i japim atë që ka deklaruar dhe me ligjin jemi në rregull. Zakonisht, bashkëshortja deklarohet e vetëpunësuar pa pagë. Ne do të shkojmë përtej kësaj, në mënyrë që të gjitha qelizave familjare të këtij vendi të mos u mungojë e gjitha ajo që ne mund të bëjmë për ta në këtë kohë lufte. Ja pse ne do t’ia japim edhe gruas së kryefamiljarit pagën e luftës. Shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqeje”.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se edhe ndihma ekonomike do të dyfishohet gjatë krizës së koronavirusit: ”E dimë që në familjet në nevojë, dikush del e bën edhe ndonjë punë tek-tuk, në të zezë. Ne do të shpërndajmë për familjet në ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqeje. Do të përfitojnë rreth 70 000 familje”. Sipas Ramës, do të dyfishohet edhe pagesa e papunësisë.