Rama: Çova Jorgon nga gjumi, erdhi dum-dumi e gjoja mblodhi plehrat
Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë, batutat e kritikat, gjatë mbledhjes së sotme, në drejtim të kryebashkiakëve.
Gjatë takimit me të zgjedhurit e bashkive të vendit dhe me prefektët, ku u diskutua për menaxhimin e mbajtjeve, kreu i qeverisë ka treguar se gjatë kohës së pushimeve të tij në Dhërmi ka njoftuar kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, të cilin tha se e ka zgjuar nga gjumi për ta sinjalizuar për situatën me plehrat në këtë zonë bregdetare.
Mes ironisë ai tha se nuk mund ta transferonte kryebashkiakun Pjerin Ndreu nga Lezha në Himarë, pasi nuk e lejon ligji, ndërsa theksoi se duhen dy të tillë si ai dhe jo si Goro.
“Jam dëshmitar edhe viktimë si një nga qytetarët e shumtë në periudhën e pushimeve, shkoj në Himarë, Dhërmi më saktë. S’e konceptoj dot. Një pedonale ka Dhërmiu që përshkohet në këmbë. Sikur Jorgo, Gjergji të çohej vetë në 4 të mëngjesit dhe ta merrte vetë rrugën me një trastë në dorë do i mblidhte. Çohem unë përpara tij dhe zgjoj Jorgon nga gjumi dhe vjen një dum-dum që se di çfarë viti prodhimi është dhe bën sikur mbledh plehrat. Janë skena të jetuara në vetë të parë. Më kanë bërë që këtë vit mos të dal fare. Vetëm që mos të përballem me këtë situatë që i thotë të gjitha.
Duke qenë se ju jeni zgjedhur, s’mundet të bëj transferim të Pjerinit në Himarë dhe ë çoja Jorgon në Lezhë. E para s’lejohet dhe e dyta puna është që të kemi dy si Pjerini dhe jo dy si Jorgo. Ju lutem të mobilizohemi bashkërisht, pasi është turp i përbashkët. S’duam t’jua lëmë juve fajin”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

