Rama debaton me përfaqësuesen greke në KiE: Jam mik me Erdoganin
Fjalimi i fortë që mbajti kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, solli reagime të shumta nga ana e përfaqësuesve të grupimeve të ndryshme politike. Pas një debati me përfaqësuesen e Serbisë, edhe përfaqësuesja e Greqisë tregoi se ka rezerva.
Nina Kasimati, përfaqësuese e Greqisë: Mirëseerdhët kryeministër Rama edhe pse në këtë mënyrë të patakt. Jeni i vetëdijshëm se jemi të vendosur të ndihmojmë Shqipërinë për në BE. A mendoni se aderimi i Shqipërisë me vlerat europiane që kërkon ky proces do të ishte e pajtueshme me politikën e sinergjisë me aktorë si Turqia, që në fakt minon të drejtat e njeriut dhe ngjall retorikën inflamatore në rajon dhe ndikon në bashkëpunim.
Kryeministri Edi Rama: Do i kthehem zonjës nga Greqia, është e kuptueshme pse është e shqetësuar për marrëdhënien tonë me Turqinë. Turqia, është partner strategjik i politikës tonë të jashtme, nuk e kuptova pyetjen tuaj kur vjen fjala për Shqipërinë. Ne nuk krahasojmë dhe nuk zgjedhim midis partnerëve tanë strategjikë, fqinjët janë aty për të qëndruar përgjithmonë, nuk do të shkojnë askund tjetër.
Gjyshja ime më thoshte fqinji i lumtur është shtëpi e lumtur. Ne nuk kemi frikë për asgjë të keqe që mund të vijë nga Turqia, pa Turqinë, kriza e refugjatëve të 2015 mund të ishte kthyer në një krizë apokaliptike në të gjithë Europën. Dua të shtoj se unë kam nderin të njoh me privilegjin e të konsideroj vendin si mik i të dyve, Presidentin Erdogan dhe Mitsotakis. As Greqia nuk do të ikë e as Turqia nuk do të ikë.