Rama denoncon prokuroren: Zonja Gjeli, e padenjë! Lejoi fshat turistik pa leje në Theth
Kryeministri Edi Rama ka denoncuar ditën e sotme një rast abuzimi në Theth, ku është ndërtuar një fshat turistik në një hapësirë publike dhe sipas Ramës një prokurore e Shkodrës nuk ka nisur hetimet.
Ai tha se prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, nuk ka bërë detyrën e saj në lidhje me këtë shkelje.
Sipas kryeministrit ajo nuk e meriton të paguhet me taksat e qytetarëve, duke paralajmëruar edhe prokurorët e tjerë të vendit.
“Kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje, zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar atë që s’mund të kuptoja, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Është e pabesueshme deri në kufijtë e të llahtarshmes, që një prokurore e Republikës së Shqipërisë, që përpara trajtimit të një krimi ndaj pronës publike, ndaj një zone ligjërisht e mbrojtur nga Ligji specifik i Shqipërisë, të përsiatet në një “jerm” të asaj që lexova, që është pjesë e përroit psikik të pashtershëm.
Dikush në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik, pa leje, ndërkohë për zonjën Gjeli kjo nuk përbën vepër penale. Zonja Gjeli është një kulminacion i një zinxhiri hallkash të përbëra nga vendime skandaloze të prokurorëve.
I kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin, qytetarët, dhe të gjithë ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe është e padenjë për t’u paguar si prokurore… Kam kërkuar që çështja e saj t’i përcillet KLP, i cili duhet të shikojë dëmin e madh që ka sjell mosfillimi i çështjes penale dhe të gjykojë pastaj nëse zonja Gjeli është apo jo e denjë për t’u paguar nga taksat e qytetarëve. Paguhen më shumë se mjekët dhe mësuesit, me shumë se efektivët e policisë, dhe nga ana tjetër tradhtojnë me paturpësi interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve të këtij vendi”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

