Rama dhe Manastirliu inspektojnë nga afër shërbimin e ri të kardiokirurgjisë te “Shefqet Ndroqi”: Ndërhyrjet e para nisin në shtator
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar këtë të martë, investimin e bërë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, më konkretisht, në sektorin e kardiokirurgjisë.
Kreu i qeverisë së bashku me ministren, inspektuan nga afër përfundimin e investimit në laboratorin ultramodern. Ky investim, sipas tyre, do të jetë në dobi të qytetarëve, pasi do të shtohet numri i operacioneve të zemrës brenda vitit, ndërsa kushtet do të jenë të standardeve bashkëkohore.
“Një shërbim që është investuar pesë vite më parë siç është ai kardiokirurgjisë është tepër i rëndësishëm. Sepse pritet të kryhen 400 ndërhyrje në vit. Kemi përmbyllur investimin në sallën e operacionit. Gjithashtu jemi dhe për të inspektuar laboratorin e ri që kemi investuar së fundmi në këtë spital, që plotëson gamën e analizave që bëhen në një spital universitar.
Duke qenë se burimet njerëzore janë të rëndësishme për të vendosur në jetë një projekt si ky. Falë nismës Mjekë për Shqipërinë, një mjek, që punon në Gjermani do të na bashkohet”, tha Manastriliu.
Mjeku i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, tha se operacionet e para nisin në muajin shtator, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm, puna do të nisë në kapacitet të plotë.
“Në shtator të fillojmë operacionet. Nga shtatori në fundin e vitit, duhet të koordinohet puna dhe nga janari i vitit të ardhshëm të jemi në kapacitet të plotë.
Kjo është një zhvillim i madh, sepse në këtë spital kryhen 700 operacione çdo vit, ndërsa nevojat janë shumë më të mëdha. Kjo do të bëjë që sistemi në shëndetësi t’i ofrojë ndihmën pacientëve në një kohë të shpejtë”, përfundoi mjeku.