Rama: Durrësi do të kthehet në marinën më të madhe në Mesdhe

Porti i ri i Durrësit do të sjellë një perspektivë të re jo vetëm për qytetin, por për gjithë Shqipërinë. Është ky mendimi i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët tha se një nga kompanitë më të mëdha në Lindjen e Mesme e ka dorëzuar projektin për fazën e parë të portit. Sipas Ramës, porti i ri që do të ndërtohet do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe.

”Një nga kompanitë më të mëdha që ka operuar në Lindjen e Mesme që jo vetëm ka shprehur dëshirën, por ka dorëzuar edhe projektin e fazës së parë të portit të Durrësit, kjo vjen sepse Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Kjo është, pak por e sigurt. Çfarë do thonë raportet ndërkombëtare që në sytë e tyre janë shumë më të mirë, dhe ato që kanë problematika se sa ç’ishin 7 vite më parë, ka një puls që është pulsi më i sigurtë për të shikuar ku ndodhet vendi në këtë vend, që është pulsi i investitorëve. Nuk pritej që një kompani e tillë të vinte edhe ata thonë marina më e madhe e Mesdheut, por unë them një ndër më të mëdhatë të Mesdheut. Më parë kjo nuk mendohej. Ideja për të bërë një marinë pranë portit të Durrësit ka qenë e vjetër që është përsëritur herë pas here”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, qyteti i Durrësit ka nevojë që të çlirohet nga gjithë aktiviteti që vjen nga porti aktual. ”Është e domosdoshme që ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga gjithë ai aktivitet dhe problematika të natyrës mjedisore që ai aktivitet krijon, të hapë me patjetër perspektivën, jo vetëm për zhvillimin, por rritjen e atij aktiviteti. Kapacitetet e portit aktual janë ato që janë. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës i të lidhur me ambicien për të pasur një port më të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve që administron, por për ta pasur të lidhur edhe me një hapësirë të aktivitetit ekonomik që në zemër të qytetit është i pamundur”.

SHKARKO APP