Rama e Balluku vizitojnë familjen e dëmtuar nga tërmeti në Vorë

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kanë vizituar një familje në Vorë, banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Rama pasi bisedoi me djalin më të vogël të familjes, Samuelin, tha se çfarë është prishur nga tërmeti, do të rindërtohet.

“Samuel, qenke 2 vjeç, por qenke marshallah. Ky është një tren për ty, e paska edhe me dy lokomotiva. Kurse kjo lodra tjetër është për të bërë vizatime dhe aritmetikë. Këtu ke edhe një lojë për të mësuar numrat.

Duhet të përfundojmë inventarin e të gjitha dëmeve të shtëpive që janë prishur për të bërë ndërtimet e reja. Te pallatet do bëjmë projektet dhe do të rindërtojmë”, deklaroi Rama.

Kryefamiljarja e shtëpisë deklaroi se kur ka rënë tërmeti, kishte panik në banesë, ndërsa theksoi se lëkundjet ishin të frikshme.

“Kur ra tërmeti i fuqishëm, kemi dalë nëpër shkallë, ndërsa lëkundjet vazhdonin. Në kat të dytë na u fikën dritat dhe thamë se mbaroi çdo gjë. Ishim të traumatizuar, por kaloi pa dëmtime në njerëz”, u shpreh kryefamiljarja.

Ministrja Belinda Balluku vlerësoi se brenda muajit mars do të ketë edhe rezultate konkrete.

“Për momentin po bëhen vlerësime, ndërsa më pas do të kemi edhe projekte, që sigurisht do të zbatohen. Brenda marsit do të kemi rezultatet e para”, nënvizoi Balluku.

SHKARKO APP