Rama e propozon për kryetare të SHISH, Bardhi thirrje presidentit Begaj: Verifiko Vlora Hysenin
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Edi Rama për emërimin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror të Vlora Hysenit, ish-zv.drejtores së shkarkuar të Inteligjencës në Kosovë. Bardhi thotë se Hyseni është shkarkuar për zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”, ndaj ai i bën thirrje presidentit Bajram Begaj të verifikojë çdo informacion lidhur me të, duke pyetur edhe institucionet në Kosovë si dhe të vërë në dijeni Kuvendin.
Postim i plotë
Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.
Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë.
Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.