Rama: Emigracioni i paligjshëm dhe inteligjenca artificiale në fokus të takimeve në Spanjë
Koordinimi i forcave dhe i kontributit të përbashkët lidhur me emigracionin e paligjshëm ishte në fokus të takimit të zhvilluar sot në Spanjë. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, në një intervistë televizive nga Granada, ku po merr pjesë në punimet e samitit të tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
“Këtu formati është me tryeza të ndryshme. Kemi bashkëdrejtuar së bashku me kryeministrin e Suedisë një tryezë për digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale në aspektin e qasjes së qeverive”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha edhe se ka pasur një tjetër tryezë me presidenten e Komisionit dhe liderët e Francës, Italisë, Holandës e Britanisë së Madhe për çështjen e koordinimit të forcave dhe të kontributit të përbashkët lidhur me emigracionin e paligjshëm.
“Natyrisht kemi folur edhe për eksperiencat tona të mëparshme në fillim të viteve 2000, që kanë qenë eksperienca të suksesshme në aspektin e koordinimit të qeverive të Italisë dhe Shqipërisë dhe eksperienca të mëvonshme me Francën e Britaninë e Madhe. Në këtë aspekt vazhdon funksionon ky komunitet, një komunitet të barabartësh ku krijohen tryeza, grupe të ndryshme, për të çuar para pjesë të axhendës së përbashkët europiane”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

