Rama flet për Kadastrën e Durrësit: Na preke në plagë të hapura!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sërish gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë zyrtarët e korruptuar të administratës shtetërore, të cilët i ka cilësuar si “grupi KÇK”, se nuk do t’i gëzojnë paratë që i kanë vjedhur popullit shqiptar.

Nga takimi i përjavshëm me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje përmes platformës bashkëqeverisëse “shqipëriaqëduam.al”, ku u njoh me një rast korrupsioni në Kadastrën e Durrësit, kreu i qeverisë tha kjo vijon të jetë një plagë e hapur, por se do të merren masa speciale kundër “KÇK”, që do ta çlirojnë përfundimisht këtë institucion dhe gjithë Shqipërinë.

“Do të jetë fundi i sigurt i gjithë merimangave dhe i rrjetit të vjetër të merimangave, që kërkojnë ushqim për të dhënë atë që në fakt është e drejta e gjithsecilit, duke futur duart në xhepa.

Na preke në plagë të hapura, që është Kadastra e Durrësit, por jam i bindur që ligji special kundër krimit të organizuar dhe asat speciale kundër KÇK do ta çlirojnë përfundimisht Kadastrën e Durrësit dhe gjithë kadastrat në Shqipëri, nga rrethimi kriminal, që ka nisur prej shumë vitesh dhe që ne kemi arritur ta çajmë vetëm pjesërisht, sidomos në zonat që kanë interes zhvillimi turistik, aty ku krimi i organizuar përpiqet të shpëlajë paratë e pista, por nuk do t’i gëzojë. Çfarë kanë grabitur, nuk do ta gëzojnë”, tha Rama.

SHKARKO APP