Rama flet serbisht dhe mbështet Đukanović, ”tërbohen” mediat serbe
Kryeministri Edi Rama mbështet Milo Đukanović, një nga garuesit në Malin e Zi për zgjedhjet e 30 gushtit. Përmes një video-je, Rama ka zgjedhur të mbështesë kreun e Partisë Demokratike Socialiste dhe pas tij shihet portreti i Ismail Qemalit. Ajo që ka bërë përshtypje është fakti që Rama flet edhe në gjuhën serbe dhe mediat atje i kanë dhënë bujë kësaj deklarate.
Rama e nis videon me fjalët në gjuhën shqipe, teksa thotë: Mirëdita miq! Më pas flet disa fjalë në gjuhën serbe, që sipas mediave serbe është motoja me të cilën Dukanovic garon në zgjedhje. Videoja më pas vijon në gjuhën angleze.
Mediat e Serbisë shkruajnë se kryeministri Rama guxon të flasë për Dukanovic përpara imazhit të Ismail Qemalit, të cilin e përshkruajnë si burrin e shtetit shqiptar që firmosi deklaratën e Pavarësisë dhe synoi Shqipërinë e Madhe. Ngjitur me Qemalin, në zyrën e Ramës ndodhet edhe flamuri shqiptar, shqiponja dykrenare, që nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat serbe.
Pjesë nga deklarata e Ramës
Nuk më takon mua të gjykoj çfarë nuk ke bërë ende për Malin e Zi i takon qytetarëve të tu. Por ajo që unë mund t’i them atyre është pa dyshim, se ajo çfarë Gjukanoviç ka bërë për Malin e zi duhet t’ju bëj krenar dhe të sigurtë për fëmijët e tyre. Nuk e di se si do të ishte Mali i Zi pa Gjukanoviçin. Por ajo që ne dimë është se Mali i Zi është i pakrahasueshëm me vendin e varfër që e mori Gjukanovic. Çdo votë që shkon kundër Gjukanovicit mund të shtyjë vendin pas.
Nuk ka askush sot që mund të shpëtojë të ardhmen e Malit të Zi, se sa ai që e ka shpëtuar në të shkuarën. Nuk ka kohë për eksperiment që sjellin paqartësi dhe regret. Është shumë e nevojshme të mbështesim fort Milo Gjukanovic në 30 gusht dhe të vazhdojmë punën e mrekullueshme që e ka bërë Malin e Zi, yllin në ngritje të rajonit, vendin model, dhe një vend më të mirë për qytetarët e tij. Ju uroj fat. Dhe ju lutem fitoni.
Zoti qoftë gjithmonë me ju dhe bekoftë Malin e Zi, në çdo hap. Faleminderit, Milo që ekziston. Jo vetëm për Malin e Zi por edhe për Shqipërinë, për shqiptarët në Malin e Zi, në Kosovë, kudo në rajon. Zoti qoftë me ju dhe e bekoftë malin e Zi në çdo hap.
Kush është Milo Đukanović?
Ai ka kryer shkollën Ekonomike në Podgoricë, ku edhe u diplomua në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Malit të Zi. Si bir gjykatësi herët në rini, Milo përparoi në karrierën politike. Në vitin 1979 arriti të bëhet anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjës së Komunistëve të Jugosllavisë.
Me ndihmën e Slobodan Milosheviqit në moshën 29-vjeçare ( 1991), arrin të bëhet kryeministri më i ri në Europë. Nga fundi i vitit 1996 dhe fillimi i vitit 1997, ra në konflikt të hapur me Miloshevicin dhe regjimin e tij në Beograd e quajti të dështuar, Më pas Dukanovic e konsideroi Miloshevicin si njeri të së kaluarës dhe deklaroi se donte një Montenegro të pavarur.
Në Malin e Zi garojnë edhe partitë shqiptare në zgjedhjet e 30 gushtit. Ato kanë një listë të përbashkët, me qëllim maksimizimin e votave.