Rama: Gjuha shqipe po kërcënohet nga komunikimet e shpejta dhe shkurtimet
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se siguria në shkolla është me shumë rëndësi, prandaj do të rritet monitorimi jo vetëm i infrastrukturës, por dhe i hapësirave në ambjentet në brendësi të shkollave.
Nga shkolla ‘Babë Dudë Karbunara’ në Berat, Rama njoftoi se monitorimi i sigurisë në shkollë që do të shkojë deri në qelizë.
Ky projekt sigurie sipas tij është kundër bullizmit, kundër kopjeve dhe kundër braktisjes së orëve të mësimit.
Ndër të tjera, Rama tha se qeveria po merr edhe masa për të ruajtur gjuhën shqipe, e cila sipas tij po kërcënohet nga komunikimet e shpejta dhe shkurtimet.
“Siguria mbetet një problem, sepse normal që cdo prind kur nis fëmijën në shkollë qëndron me një farë meraku. Në një projekt që ne po e cojmë përpara dhe që do ta jetësojmë vitin e ardhshëm, ku ne do të bëjmë një kapërcim epokal në monitorimin e sigurisë së rrugëve, së qyteteve, të hapësirave të mëdha publike është përfshirë edhe monitorimi i sigurisë në shkollë që do të shkojë deri në qelizë.
Një monitorim që do t’i japë mundësi fëmijëve dhe prindërve që të ndihen të qetë. Është një projekt sigurie kundër bullizmit, kundër kopjeve dhe kundër braktisjes së orëve të mësimit.
Në këtë aspekt shkolla Bab Dudë Karbunara ka një simbol të mishëruar në një amanet, amaneti për gjuhën shqipe, e cila sot kërcënohet nga një armiqësi tjetër shumë e madhe që është armiqësia e atyre komunikimeve të shpejta me shkurtime të pafundme dhe braktisja gjithmonë e më shumë e kulturës së lexuarit të librit dhe të shkruarit me dorë.
Këto nuk janë vetëm sfidat tonë, por janë të të gjithëve. Ne edhe për këtë sfidë po punojmë, duke i kushtuar vëmendje të veçante jo vetëm aftësive të mësimdhënies në aspektin e teknologjive dhe dixhitalizimit, por edhe në aspektin e gjuhës shqipe, për të pasur një rrjet mbrojtjes për gjuhën shqipe”, deklaroi Rama.