Rama: Gratë na mbështesin më shumë se burrat, suksesi për Shqipërinë 2030 në BE varet nga gratë dhe vajzat

”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, është aktiviteti që i parapriu hapjes fushatës e PS-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimi u mbajt në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kryeministri Edi Rama para hapjes zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste ditën e shtunë, ka marrë pjesë këtë të premte në një takim me kandidatet për deputete të PS-së. Ai tha se suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë.
”Shqipëria është grua, Europa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë. Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për PS, sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. PS e mbështesin në rang kombëtar 56 përqind e zgjedhësve gra dhe vajza ndërsa në qarqe të caktuara mbështetja shkon në 65 përqind.
Kjo do të thotë se te burrat dhe djemtë mbështetja është më e ulët për ne, sesa te gratë dhe vajzat. Nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është i madh, te burrat është më i ngushtë. Mbështetjen kuptimplotë prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, më të të arsyeshme, sakrifikuese të popullit, gratë dhe vajzat nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër”,-u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, ai tha se vite më parë në takimet që zhvilloheshin nuk kishte gra dhe vajza. Rama shtoi se qeveria është në 5-shen e parë të klasifikimit për pjesëmarrjen më të lartë të grave në kabinetet qeveritare. ”Në atë kohë parlamenti nxinte nga burrat dhe qeveria e sapo formuar kishte një grua. Po në këtë parti nisi një revolucion gjinor duke e rritur pjesëmrrjen e vajzave dhe grave në parti. Raporti burra- gra në rol drejtues u shtri në listat e këshillave bashkiak dhe më pas në Kuvend, qeveria jonë është në 5-shen e parë të klasifikimit për pjesëmarrjen më të lartë të grave në kabinetet qeveritare”,-tha Rama.
Për me tepër, Rama nënvizoi se më 12 maj Shqipëria do të ngrihet e mbuluar me rozë, dhe se flamuri i PS do mbulojë hartën elektorale. ‘‘Mes dy palëve, unë zgjedh të parat gjithmonë, nënat, bijat dhe motrat. Sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore, nuk mund ta nisim këtë etapë veçse kështu me gratë dhe vajzat. Meritojnë të quhen komandot e armatës sonë fitimtare që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrës jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë. Ai flamur që ju keni qëndisur zonë me zonë, njësi më njësi, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Në mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe ngjyra e PS”.