Rama homazh për Gjeneralin britanik: Një nga etërit themeltarë të ruajtjes së rendit publik në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ka bërë homazh për Gjenerali Sir Jocelyn Percy, të cilin e quan “një nga etërit themeltarë të forcave të ruajtjes së rendit publik në Shqipëri”. Në një postim në Facebook, Rama ka përmendur kontributin në qeverinë shqiptare të kohës për të ngritur jo vetëm një xhandarmëri moderne, por edhe për të konsoliduar shtetin ligjor në Shqipëri.
Postimi i kryeministrit Edi Rama
Sir JOHN SAMUEL JOCELYN PERCY është nga personazhet e gushtit, që meriton kujtimin tonë me nderim për kontributin e posaçëm që dha për shtetin shqiptar.
Ky condottiere britanik me një staturë gjigandi, në moshën 56 vjeçare pranoi ftesën e qeverisë shqiptare të kohës për të ngritur jo vetëm një xhandarmëri moderne, por edhe për të konsoliduar shtetin ligjor në Shqipëri. Kush do të kuriozohej sot për personalitetin e tij, do të gjendej përballë një Indiana Jones me thinja dhe mustaqe, në një uniformë pa të sharë ku xixëllonin dhjetra urdhra e medalje britanike e të huaja, të fituara në teatret më të vështirë të luftës, nga India në Egjipt, pa përjashtuar atë të përbotshmin e 1914-1918.
Thonë se gjenerali Percy ishte një organizator dhe një administrator i shkëlqyer, njohës jo vetëm i artit ushtarak dhe mbrojtjes së rendit publik, por edhe i parimeve themelore të së drejtës, të lirive dhe të shtetit ligjor. Në çdo veprim të tijin, në secilin prej 3000 xhandarëve shqiptarë që stërviti, formoi dhe organizoi, objektiv kryesor siç e ka dëshmuar ai vetë, pati skalitjen e primatit të ligjit dhe konsolidimin e një arme në shërbim të demokracisë dhe të qytetarisë.
Percy e përballi me sukses sfidën e krijimit të xhandarmërisë moderne shqiptare i ndihmuar nga 7 ushtarakë të tjerë britanikë që e vunë veten në shërbim të vendit tonë: Major R. T. Cripps, Kolonel Leitnant J. Maxëell Gilloth, Major Ë. E. Bredin, Major F. Coleman Smith, Major C. V. Dodgeson, Kolonel Leitnant De Renzy-Martin, Major D. R. Oakley-Hill; një dërgatë personazhesh romaneske në mënyrën e tyre, të cilët lidhjet me Shqipërinë i mbajtën edhe pas fundit të shërbimit. Në «shkollën» e xhandarmërisë së ngritur nga Sir Percy, dha kontribut edhe djali i tij, Alastair, një nga heronjtë e betejës së Londrës me 1940, ku ra në krye të detyrës si pilot i Royal Air Force.
I dekoruar me kordonin e madh të Urdhrit të Skënderbeut nga Mbreti Zog, Gjenerali Sir Jocelyn Percy duhet të konsiderohet me të drejtë si një nga etërit themeltarë të forcave të ruajtjes së rendit publik në Shqipëri.
#TëPAHARRUESHËM